E Diel, 1 Nëntor 2026

14 vjet NATO në Kosovë, Majko: Gëzuar, por mos harroni të “humburit”

TIRANE-Deputeti socialist Pandeli Majko uroi sot 14-vjetorin e zbarkimit të forcave të NATO-s në Kosovë.
Me një mesazh urimi në "Facebook", Majko uroi kosovarët për përvjetorin e lirisë, ndërsa bëri apel që të mos harrohen personat e humbur gjatë luftës me Serbinë.

“Gëzuar 12 qershorin, përvjetorin e lirisë Kosova ime. Janë brenda nesh të gjitha ato që kanë ndodhur. Ato bashkëjetojnë me lirinë dhe i japin dimensionet asaj. Liria ka bashkëudhëtare të vet dhimbjen e fitores së saj. Asgjë nuk bëhet asgjë.

Gëzuar ditën e lirisë vëllezërit dhe motrat e mija në shtetin e Kosovës. Nderim për heronjtë e Kosovës që janë prezent me mungesën e tyre. Jasharët, Lladrovcët dhe Haradinajt dhe të gjithë heronjtë e shqiptarisë janë dhe do të mbeten historia e re dhe e vjetër e provës së mbijetesës së kombit shqiptar.

Mos harroni të “humburit”... Ata janë pjesë e lirisë. Një amanet që fle dhe zgjohet me Kosovën. Viti 1999-të duket sikur nuk mbaron e zgjatet edhe sot pa ta dhe me ta.

Gëzuar lirinë Kosovë. Gëzuar dhimbjen. Gëzuar amanetin. Lavdi dëshmorëve të Kombit. Mos harroni!”, shkruan Majko në rrjetin social, "Facebook".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›