‘Damka e turpit’ flet shqip
‘Damka e turpit’ i Nathaniel Hawthorne, edhe pse i shkruar 150 vjet më parë, edhe pse me vonesë është një nga zgjedhjet më të mençura që ka bërë botuesja e Pegit - Loreta Berhami, e cila ia besoi përkthimin e këtij romani njërit prej shqipëruesve më të mirë të letërsisë, Amik Kasoruhos.
Nëse libri që u shkrua dhe u botua në Amerikë, pati impaktin e një testamenti emancipues dhe Amerika pati zhdërvjelltësinë dhe intuitën shoqërore që ta përthithte, ta përdorte për ndryshimin e koncepteve themelore të etikës dhe gjykimit të gjestit njerëzor që lidhet me jetën, lindjen, nderin; në Shqipëri, ‘Damka e turpit’ duhet të shënojë ende vraga të tjera derisa kjo shoqëri të mbartë mesazhet e forta të romanit dhe t’i përdorë ato si melhem mbi çdo histori shqiptare të ngjashme me historinë e romanit.
Duke filluar prej vitit 1909 regjisorë të ndryshëm kanë tentuar ta shndërrojnë në film historinë e Ester Prinit, damkosjen e saj me një shkronjë turpëruese, por nga nëntë variantet kinematografike, asnjëri nuk ka arritur nivelin e letërsisë që ka shkruar autori amerikan. Është e njohur kjo ngatërresë mes romaneve dhe filmave. Ndodh që filmi kapërcen nivelin e romanit, si te Doktor Zhivago, apo ‘Mosha e pafajësisë’, por as te ‘Lartësitë e stuhishme’, as te ‘Ana Karenina’ dhe as te gjithë variantet e filmit që janë bërë përgjatë një shekulli, ‘Damka e turpit’ nuk është mbërritur prej regjisorëve, aktorëve, skenaristëve në majën e magjisë letrare që autori e ka shijuar përmes gjenisë krijuese.
Në shekullin XIX, në një qytezë amerikane, një grua lind një vajzë, babai i vërtetë i të cilës nuk dihet. I shoqi i Ester Prinit ka vite që është zhdukur në një udhëtim të largët. Qarqet fetare, paria e qytezës, turma marrin pjesë në turpërimin publik të Ester Prinit dhe përpjekjeve për ta bindur të tregojë se kush është i ati i fëmijës. Gjatë gjithë librit, kam menduar shpesh: ku e gjen forcën e rrallë kjo grua që shpërfill gjithë zhurmnajën, mllefin, gjykimin publik dhe si tërë këtë që i ndodh e kthen në një energji pozitive të cilën ua përcjell njerëzve të varfër, u gjendet me veprat e saj bamirëse, i ndihmon dhe iu fal ngrohtësi e mirësi. Besoj te vajza e saj është ajo fuqi magjike, te foshnja e pafajshme, të cilën e shtrëngon në gjoks, pikërisht aty, ku paria gjykuese e ka dënuar të mbajë shenjën e turpit të qëndisur. Sakrifica e Ester Prinit mbart misterin e një dashurie, për të cilën nuk flitet shumë.
Por ndjehet shumë. Po aq sa ndjehet hija e zezë e bashkëshortit që kthehet si një i panjohur në qytezë, pikërisht kur Esterin po e gjykojnë në shesh dhe fillon një hetim, me qëllim të gjejë cili është njeriu, emrin e të cilit Ester Prini e ruan dhe nuk e përmend kurrë, pastaj të hakmerret, të shkatërrojë, duke filluar me Ester Prinin. Është e vërtetë që njeriut i është bërë një dhuratë mëshirëplote, sepse ai që vuan, në çastin e vuajtjes, nuk e di kurrë sesa e madhe ka për të qenë ajo dhe vetëm më pas është në gjendje të vlerësojë rrymin e dhimbjes që mbetet. Roxherin e takojmë qartë në fund të librit, kur kupton se hakmarrja e tij nuk ka atë vlerë që kanë barnat shëronjëse që Roxheri i mbledh me merakun e shkencëtarit.
Pas Ester Prinit figura më e kërkuar prej lexuesit është ajo e personazhit misterioz, babait të vërtetë të Perlës, vajzës së lindur si fryt i mëkatit. Figurën e tij, Nathaniel Hawthorne e shfaq pak e nga pak, si një dritë e mekur mes një muzgu, pastaj krijon artistikisht formën e një njeriu hije e me ndihmën e Roxherit i zbulohet lexuesit personazhi i Dimesdejlit.
Kur ta marrë librin lexuesi dhe të fillojë të lexojë, kërshëria ndaj këtij personazhi, ndoshta do ketë nota qortimi, krahasuar me qëndresën e Esterit, heshtja e Dimesdejlit është e pafalshme. Por më tej, kur lexueshmëria arrin ‘pikën e vlimit’ kuptojmë se kemi përballë një figurë të përshkruar mjeshtërisht nga autori; një djalosh që tërë inteligjencën e tij e shpërfill përpara sakrificës që i kërkon ndërgjegjja të bëjë. Fjalimi i tij është një nga xhevahiret e artit letrar; fundi i tij është ndër më të realizuarit artistikisht. Nuk dua të shuaj kureshtjen e askujt, por jam e bindur se këto fjalë janë të pakta nga përjetimi i lexuesit, kur të kthejë fletën e fundit të librit.
Në fund të librit është një ese e shkruar nga autori pas botimit të librit, që përgjatë ribotimeve të shumta në vende të ndryshme, i është bashkangjitur romanit si të jetë ‘alteregoja’ e N. Hawthorne.