E Diel, 1 Nëntor 2026

‘Dhurata’ e Kapitit

Ejup Mehmeti – Kapiti ka sjellë risi në futbollin kosovar. Pasi e angazhoi shkrimtarin dhe autorin e disa librave të mendimit pozitiv Daut Demaku, trajneri i ri i Prishtinës, me qëllim që disiplina në ekipin bardh e kaltër të jetë në nivel, ka nisur ta përdorë një strategji. Secili lojtar prishtinas që ndëshkohet me karton të kuq, përpos dënimit nga Federata, do të pushojë edhe një lojë si ‘dhuratë’ nga trajneri.

Përpos rezultateve pozitive që po i regjistron një nga një me Prishtinën, trajneri Ejup Mehmeti – Kapiti, ka sjell risi në futbollin kosovar. Pasi e angazhoi shkrimtarin dhe autorin e disa librave të mendimit pozitiv Daut Demaku, që ta mbajë një ligjëratë para futbollistëve, me qëllim që t’i frymëzojë ata, trajneri kosovar e ka zbuluar një tjetër princip të tij.

Me qëllim që disiplina në ekipin bardh e kaltër të jetë në nivelin e duhur, Kapiti do t’i dënojë futbollistët që ndëshkohen me karton të kuq. Përpos që do të suspendohen nga Federata e Futbollit të Kosovës kur të skuqen, dënimi i tyre nuk do të mbarojë me kaq.

Në fakt, ata do t’i presë një tjetër suspendim, këtë radhë nga trajneri. ‘Viktima’ e parë që e vuajti këtë dënim ishte Faton Zejnullahu. Sulmuesi prishtinas ishte ndëshkuar me karton të kuq nga gjyqtari Kreshnik Vula në ndeshjen e Superkupës së Kosovës, ku kryeqytetasit pësuan humbje nga Trepça ’89.

Ish futbollisti i Flamurtarit e vuajti dënimin prej dy ndeshjesh, ndaj Trepçës dhe Vëllaznimit, ndërsa si ‘dhuratë’ prej trajnerit, mungoi edhe në përballje me Lirinë, të cilën e fituan prishtinasit në Prizren.

“Lojtarët duhet të mundohen të jenë sa më korrektë. Faton Zejnullahu e vuajti dënimin nga Federata dhe unë ia dhashë edhe një lojë pushim. Ndoshta futbollistët mendojnë që jam i urtë, por gabohen. Ata që do të ndëshkohen me karton të kuq, do ta vuajnë edhe dënimin tim prej një ndeshjeje, përpos atij që ua shqipton Federata”, është shprehur Kapiti për Express.

“Me referët nuk merrem as unë, e lëre më lojtarët. Ka kush merret me ta. Është Federata ajo e cila ndërmerr masa, kur të ketë gabime. Deri tash nuk është përsëritur ndonjë rast si ai i Fatonit dhe besoj se nuk do të ndodh deri në fund të sezonit”, shtoi ai.

Ndërkohë, sulmuesi prishtinas e ka respektuar vendimin e trajnerit. Ai premton se në ndeshjet e ardhshme do të jetë më i vëmendshëm dhe do të mundohet që mos ‘skuqet’ më.

“Unë nuk jam lojtar që marr kartonë të kuq. Edhe në Pejë, gjyqtari Kreshnik Vula më ka ndëshkuar pa meritë. Trajneri e ka bërë rregull që nëse dikush merr karton të kuq, për sjellje josportive, do të ketë dënim edhe nga ai. Unë e përkrah këtë vendim dhe kam qenë i pari që e kam pranuar. Shpresoj që të kem qenë i pari dhe i fundit në ekipin tim që merr karton të kuq këtë sezon”, theksoi Zejnullahu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›