Dueli i skuadrave në formë

Dy skuadra që po kalojnë nëpër një formë të mirë në këtë sezon, Vëllaznimi dhe Drita, do ti masin forcat të dielën në kuadër të xhiros së gjatë të Superligës.
Pas dy fitoreve radhazi dhe një barazimi, gjakovarët synojnë të vazhdojnë me rezultate të mira edhe kundër gjilanasve. Duke e pasur parasysh që do të luajnë përpara publikut të tyre, Vëllaznimi beson në fitoren e radhës.
“Pas dy fitoreve në shtëpi dhe pas barazimit në Drenicë, atmosfera në klub është shumë e mirë. Gjithashtu motivi te bashkëlojtarët është shumë i madhe. Me këto anë pozitive i hyjmë edhe takimit me Dritën. Me angazhim maksimal besoj se do ti marrim tre pikë”, ka thënë kapiteni i kuqezinjve Atdhe Gashi.
Në anën tjetër edhe skuadra e Dritës, e cila u trondit nga vdekja e ish presidentit të tyre Selami Osmani – Bezi, paralajmëron se në Gjakovë nuk do të shkoj me flamur të bardhë. Ata synojnë që nga atje të kthehen të pamposhtur.
“Kemi pasur një ecuri të mirë të rezultateve dhe nuk bënë të humbim hapin as në duel me Vëllaznimin. Qëllimi ynë nga kjo përballje është të kthehemi të pamposhtur. Nëse na epet mundësia do të tentojmë të fitojmë”, ka thënë kapiteni i gjilanasve Artan Latifi.
Pas pesë xhirove të kaluara në elitën e futbollit kosovarë, Drita renditet në vendin e tretë në renditjen tabelore me 10 pikë të tubuara, dy më shumë sesa Vëllaznimi që pozicionohet në vendin e pestë.
Të dielën do të zhvillohet edhe dueli në mesë të Llamkos Kosovës dhe Besës.
Superliga – Xhiroja e gjashtë
E diel
Ll. Kosova – Besa
Vëllaznimi – Drita
Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 15:00