E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthimet historike

Suedia bëri rikthim sensacional ndaj Gjermanisë të martën mbrëma në kualifikimet për Botërorin 2014 ndaj Gjermanisë. Klose me shokë po udhëhiqnin në pjesën e parë 4:0, por hasën në një rikthim të paparë nga ekipi i drejtuar nga Ibrahimovic. Kjo lojë u fut në histori të rikthimeve më të mëdha të ndodhura ndonjëherë në nivelin e përfaqësueseve.

Rikthimi i jashtëzakonshëm i Suedisë të martën mbrëma ndaj Gjermanisë, nga 4:0 në 4:4, nuk ishte i pari sa u përket rikthimeve që e kanë shënuar historinë në nivelin e përfaqësueseve. Ueb faqja italiane eurosport.it e ka publikuar listën e rikthimeve më sensacionale.

Gjermania Perëndimore – Hungaria 3-2 (Botërori, 1954)

Maxharët u paraqitën në këtë eveniment si favoritë të mëdhenj dhe shkuan në finale, pasi e eliminuan Brazilin dhe kampionin në fuqi, Uruguain. Në atë ditë mitike, Hungaria e bëri një prej gabimeve klasike: e nënvlerësoi kundërshtarin përkundër avantazhit të dyfishtë të regjistruar nga Puskas e Czibor, pas vetëm 8 minutash. Nga ana tjetër ishte Gjermania Perëndimore e mbushur me formë fizike, e gatshme të ngrihej si një luan dhe njëra prej skuadrave më të mira dhe më zbavitëse të historisë. Falë dygolëshit të Rahn dhe një të Morlock, gjermanët iu gëzuan fitores.

Franca – Jugosllavia 4-5 (Evropiani, 1960)

Provoni ta gjeni ndonjë ndeshje të fazës finale të Evropianit me më shumë gola. Shumë pak njerëz megjithatë mendonin se në Parkun e Princit në Paris, në ndeshjen debutuese të këtij evenimenti, do të mund të shihnin aq shumë gola dhe njërën prej ndeshjeve më të pazakonta të 52 vjetëve pasardhëse të turneut. Galic e hapi lojën për ekipin sllav, Vincent barazoi në minutën e 11-të, më pas asgjë derisa të shënonte Franca me Heutte. Në pjesën e dytë arritën edhe gjashtë gola. Të gjithë në harkun e 24 minutave. Francezët shkuan në avantazh prej 3:1 me anë të Wisnieskit, ndërsa Zanetic e zbuti rezultatin. Por, Heutte shënoi sërish për 4:2. Për katër minuta, Jugosllavia e Ljubomir Lovricit e mori lojën në dorë falë Knez e Jerkovic.

Koreja e Veriut – Portugalia 3-5 (Botërori, 1966)

Befasisht, skuadra aziatike realizoi tri gola për vetëm 24 minuta dhe shpresoi një fitore që do të ishte historike. Mëkat që në pjesën e dytë luajti një lojtar si Eusebio, autor i katër golave, dy prej tyre nga penalltia.

Jugosllavia – Gjermania Perëndimore 2-4 (Evropiani, 1976)

Është e mundur të hysh në lojë 11 minuta pa përfunduar ndeshja dhe të shënosh tri gola? Përgjigja është po, edhe pse ndoshta për ta bërë këtë nevojitet loja shtesë. Kjo ka ndodhur më 17 qershor të vitit 1976 kur Helmut Schon, selektor i Gjermanisë së Veriut, kampione e botës më 1974, e bëri njërin prej ndërrimeve më të duhura në histori të turneut, jo vetëm të një ndeshjeje. Në minutën e 79-të të gjysmëfinales me Jugosllavinë, teksa po humbte 2:1, ai vendosi ta heqë nga loja lojtarin Herbert Wimmer, duke e futur debutuesin Dieter Muller. 22 vjeçari hyri dhe pas tre minutash e realizoi golin e barazimit, që e çoi lojën në vazhdime. Ndërmjet minutave 115 e 119 arrijnë edhe golat me numër dy dhe tre të Muller, që i dërgojnë gjermanët në finale. Pak ka rëndësi që më pas humbin në finale nga Çekosllovakia pas ekzekutimit të penalltive.

Belgjika - Danimarka 2-3 (Evropiani, 1984)

Luhej për të kaluar në gjysmëfinale. Ndeshja dukej se ishte në duart e belgëve, që shënuan dy gola për 39 minuta. Më pas u pa reagimi i danezëve, që e ngushtuan rezultatin në pjesën e parë, kurse në vazhdim e kompletuan përmbysjen e rezultatit duke kaluar në gjysmëfinale, ku më pas humbën nga Spanja pas penalltive.

Jugosllavia – Spanja 3-4 (Evropiani, 2000)

Sërish Jugosllavia protagoniste. Sërish në aspektin negativ. Spanja e José Antonio Camachos e arriti një kualifikim të jashtëzakonshëm në fazën e eliminimit direkt. Spanjës i nevojitej fitorja për ta kaluar turnin, por përpara kishte një trupë luftëtarësh të selektorit Vujadin Boskov, që kaloi në epërsi me anë të Savo Milosevic. Alfonso Perez i barazoi shifrat para se të kryhej pjesa e parë. Govedarica shënoi për 2-1 për serbët, por pas një minute arriti barazimi përmes Munitis. Mori fund? Assesi. Jugosllavia mbeti me 10 lojtarë (i kuqi për Jokanovic), por Komljenovic rrezikoi t’u jepte fund ëndrrave të Iberikëve për 3-2. Mrekullia ndodhi në minutat shtesë. Gaizka Mendieta e regjistroi barazimin nga penalltia për t’ia liruar rrugën golit të dytë personal të Alfonso Pérez. 4-3. Festuan të dyja ekipet, sepse edhe jugosllavët e kaluan turnin.

Holanda – Republika Çeke 2-3 (Evropiani, 2004)

Më 19 qershor të vitit 2004 në Municipal di Aveiro të Portugalisë, Holanda e Dick Advocaatit u tregua e lodhur në fund dhe ia la fushën në dorë Republikës Çeke të Karel Brucknerit. Çekët nga Euro '96 njëra prej skuadrave më të rrezikshme të kontinentit të vjetër, arritën ta marrin lojën në dorë dhe të kualifikohen në çerekfinale. Bouma shënoi me kokë dhe Van Nistelrooy (në pozitë jashtë loje) e kaluan ekipin Oranje në avantazh të dyfishtë pas vetëm 19 minutash. Koller shënoi për 2-1 dhe pasi Davids dështoi ta ngriste rezultatin në 3-1, Baros u përkujdes ta barazonte rezultatin në minutën e 70-të. Heitinga u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 75-të, por u desh minuta e 88-të që të shihej goli vendimtar. Atë e realizoi Smicer, pasi mori një top të mirë nga Poborski.

Portugalia – Kameruni 5-5 (Botërori U17, 2003)

Çmenduri! Portugezët e ‘vegjël’ në pjesën e parë ishin në avantazh prej katër golash dhe pritej një fitore e sigurt e tyre. Mirëpo, të rinjtë afrikanë u këndellën dhe bënë një punë mbresëlënëse dhe historike. Rikthimi filloi me autogolin e Thiago Costas (70'), ndërsa në mes të minutave 74' e 76' arritën dy gola tjerë të kamerunasve. Portugalia filloi të frikësohej, ndërsa të rinjtë afrikanë u vërsulën drejt sulmit për t’i shënuar dy gola të shpejtë në minutat 88 e 90, për një rezultat historik 5-5.

Angola – Mali 4-4 (Kupa e Afrikës, 2010)

Gjatë ndeshjes inauguruese, të zotët e shtëpisë kaluan në epërsi prej katër golash, kur mungonin vetëm 11 minuta lojë. Gjithçka kishte përfunduar për Angolën, por jo edhe për Malin, i cili bëri një reagim të pabesueshëm dhe i barazoi shifrat me dy gola të realizuar në lojën shtesë.

Gjermania – Suedia 4-4 (Kualifikimet e Botërorit, 2012)

Një ndeshje historike, e rrallë. Përkundër faktit se Klose shënoi dy gola, që iu afruar legjendës, pasi gjendet vetëm një gol larg të madhit Gerd Muller dhe një avantazh prej 4 golash, por djelmoshat e ‘tmerrshëm’ të Joachim Loew hasën në një rikthim të magjishëm të Suedisë së udhëhequr nga Zlatan Ibrahimovic. Një shok për gjermanët.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›