‘DokuFabrika’ në DokuFest
Elena Fortes, e cila ishte edhe kuratore e programit të filmave Ambulante – që përbëhet nga pesë filma të ardhur nga Meksika - nënvizoi se është shumë e interesuar që t’i shoh filmat kosovarë, sepse shpreson që një pjesë të këtyre filmave do të mund t’i shfaqë edhe në festivalin e saj në Meksikë.
Ndryshe, Ambulante është festivali më i njohur i filmave dokumentarë në Meksikë.
Nga ana tjetër, Srdjan Keca tha se përkundër fakti që në DokuFest ka qenë gjashtë vite më parë, mbetet i befasuar me atë se sa shumë janë rritur Prizreni dhe DokuFest’i. Sipas tij, DokuFest tashmë njihet si një festival filmik evropian, edhe pse, në të njëjtën kohë, festivali ka ruajtur atmosferën e tij mikpritëse, aq tipike për festivalet e vogla.
Paralelisht, Veton Nurkollari bëri të ditur se programi i rregullt i festivalit do të vazhdojë me shfaqjen e rreth 40 filmave.
Një ndër ngjarjet më interesante të paralajmëruara ishte shfaqja e filmave të prodhuar nga vetë DokuFest, dhe të financuar nga Komisioni Evropian - në kuadër të projektit “Fabrika për Filma Dokumentarë për të Drejtat e Njeriut – Storie nga Margjinat e Kosovës”. Po ashtu, Nurkollari njoftoi se të hënën në Prizren tashmë ka arritur edhe regjisorja e njohur iraniane, Samira Makhmalbaf, e cila është anëtare e jurisë në garën e filmave dokumentarë ndërkombëtarë.
E, në mbrëmje, gjegjësisht duke filluar nga ora 20:30 - kohë kjo e paraparë për shfaqjen e po këtyre filmave – në Kino Europa prezent ishte edhe kryesuesi i Komisionit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar.