‘Gjashtëshja’ e tretë për Fergusonin

Skuadra e tij Manchester United u mposht 1-6 në Old Trafford nga rivali i qytetit Manchester City. Por, kjo nuk ishte hera e parë që strategu skocez ka pranuar gjashtë gola nga një skuadër kundërshtare.
Në 2061 takime të tij si trajner, Fergusonit kjo i ka ndodhur tri herë. ‘Gjashtëshja’ e parë për Fergusonin i erdhi si debutues më 1974, kur me East Stirlingshire u mposht nga Albion Rovers, 2-6. Deri te gjashtëshja tjetër, Ferguson u desh të priste 22 vjet, kur në bankinën e Manchester United u shkel nga Southampton, 3-6.
Ferguson, pesë herë në karrierën e tij është mposhtur me pesë gola dallim, përfshirë një disfatë nga City, 0-5. Prej 1986, kur mori drejtimin e Djajve të Kuq, një herë u mposht 1-5 dhe gjashtë herë të tjera 0-4, të gjitha si mysafir.
Humbjen më të thellë, Ferguson e pësoi si futbollist i skuadrës skoceze Falkirk, 1-7 kundër Aerdriea në sezonin 1971/72.