‘Kolona’, rreth e rrotull globit

Sivjet ishte edicioni i 61-të i këtij festivali, që është një ndër festivalet më të vjetra botërore. Ky festival është i akredituar nga Akademia Amerikane e Filmit - Oscar dhe nga Bafta Awards. Filmi ‘Kolona’ është pranuar në kompeticionin zyrtar për film të shkurtër.
Sipas kritikut australian Thomas Caldwell, filmi ‘Kolona’ është radhitur në mesin e 5 filmave më të rekomanduar për t’u shikuar në Melbourne Film Fest. Në këtë listë është po ashtu edhe filmi i shkurtër "Silent" fitues i Palme d’Or në Cannes Film Festival 2012.
Ujkan Hysaj, regjisori i filmit ‘Kolona’, ka udhëtuar në Melbourne për ta prezantuar filmin para audiencës australiane.
Por, kjo nuk është e tëra. Filmi ‘Kolona’ do të shfaqet edhe në festivale tjera anekënd globit. Ky film është pranuar në kompeticion zyrtar edhe në Monterrey Film Festival në Meksikë, që mbahet prej 16 deri më 26 gusht, si dhe në Warsaw Film Festival në Poloni, që mbahet prej 12 deri më 21 tetor. Ky festival është një ndër festivalet më të mëdha evropiane, dhe po ashtu i akredituar nga Akademia Amerikane e filmit – Oscar dhe i anëtarësuar në FIAPF (International Federation of Film Producers Associations).
Dhe së fundi, filmi ‘Kolona’ pranohet edhe në Izmir Short Film Festival në Turqi, që mbahet prej 20 deri më 25 nëntor dhe është edicioni i 13-të.
Filmi ‘Kolona’ është bashkëprodhim i Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe produksionit vendor ‘Ajo Pictures’. Regjia Ujkan Hysaj, skenari Besian Hysaj. Luajnë: Sunaj Raça, Arbnesha Grabovci, Irena Cahani, Don Raça, Enis Krapi, Vllado Jovanovski, Bislim Muqaj. Drejtor fotografie: Samir Karahoda.