‘Made in Britain’ hapet në Tiranë

“Made in Britain” përfshin rreth 118 vepra në pikturë, instalacione, punime grafike, video-art dhe fotografi, të cilat janë pjesë e koleksionit të Këshillit Britanik. Punë të artistëve të njohur edhe në botë si Damien Hirst, Gary Hume apo Richard Deacon, janë përzgjedhur për t’u bërë pjesë e ekspozitës, e cila pas një përpjekjeje të bërë nga Galeria e Arteve ka sjellë në kryeqytetin shqiptar artin bashkëkohor britanik.
“Është një lloj përmbledhje e arteve pamore britanike të 30 viteve të fundit. Kemi përzgjedhur vepra të ndryshme për të përcjellë sa më mirë artin në Britaninë e Madhe”, shprehet Delphine Allier, organizatore ekspozitash për Këshillin Britanik.
Përveç vlerave të tyre artistike, veprat përcjellin tek publiku një lloj botëkuptimi mbi ndryshimet e ndodhura në Britani gjatë tre dekadave të fundit dhe reflektojnë ndikimin e artit pamor në lidhje me këto ndryshime.
Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, një prej kuratorëve të kësaj ekspozite, ka shpjeguar se shumë prej veprave janë përzgjedhur edhe sepse prekin realitetin tonë shoqëror, megjithëse e bëjnë këtë në mënyrë indirekte.