E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia e re e Obamës

Me dhjetëra mija ushtarë në terren? Këto kohëra kanë kaluar. Në luftën kundër armiqve të SHBA-së presidenti amerikan, Barack Obama, tani po mbështetet në fluturake pa pilot, në njesi elite dhe luftë kibernetike. Presidenti po e udhëheq personalisht këtë luftë nga hija, po vendos personalisht për jetë a vdekje.

Nganjëherë John Brennan është i detyruar që të ftojë presidentin amerikan në takime gjatë orëve të mbrëmjes. Apo ta thërras në telefon, kur ai të ketë dal me familjen e tij. Barack Obama në këto momente e di fare mirë se çfarë do të dëgjojë: ai duhet të vendos për jetë dhe për vdekje. Ai personalisht. Eksperti i tij kundër terrorizmit Brennan ja thotë atij emrat e terroristëve, ja tregon fotografitë e tyre. Obama vendos se kush do të vritet. Më pas, diku nëpër botë, në brezin kufitar mes Afganistanit dhe Pakistanit, në Jemen apo Somali, fluturaket pa pilot shkrepin raketat e tyre.

Është ky një ndryshim i strategjisë, një lloj i ri i të bërit luftë. Ndoshta më vonë paraardhësi i tij, George W.Bush nuk do të mbahet më në mend si president i luftës. Por Obama, luftëtari nën hije.

Ai dëshiron t’i shmanget sistemit të vjetruar të epokës së Luftës së Ftohtë, pat deklaruar Obama në janar. Në vend të kësaj, ai tani ka me tepër nevojë për shërbimet e fshehta, më shumë kapacitete për vëzhgim dhe zbulim. Edhe njerëzit e Bushit kanë pasur ide të ngjashme, por Obama është ai, i cili tani po i lëvizë këto ide përpara.

Thënë qartë, doktrina e Obamës tani është: luftë me fluturake pa pilot, misione të njësive speciale, lufta kibernetike.

Udhëheqësi i Al Qaides, u vra nga një njësi e Navy Seals. Irani përjetoi goditjen digjitale: siç thotë gazetari David Sanger, në librin e tij që do të botohet së shpejti, prapa sulmit me virusin Stuxnet kundër centrifugave iraniane të uraniumit, të ndërmarrë para dy viteve, qëndron pikërisht Obama, së bashku me izraelitët.

Një virus kompjuterik, i cili arriti të depërtonte në kompjuterin qendror në objektin bëerthamor Natanz-ishte kjo një gjë gjeniale. Qëllimi: zvarritja e programit bërthamor të Iranit. Dhe vërtetë, shkencëtarëve iranianë ju deshën disa muaj për të eliminuar problemin.

Luftën me fluturake pa pilot Obama e ka intensifikuar dhe zgjeruar gjatë mandatit të tij. Nga rreth 300 sulme të këtilla të ndërmarra në territorin e Pakistanit, 250 prej tyre janë ndërmarrë gjatë mandatit të Obamës. Rreth 2300 luftëtarë të Al Qaidës supozohet se janë vrarë gjatë këtyre sulmeve.

Sulmet e këtilla Obama i ka zgjeruar edhe në Jemen: vetëm këtë vit në Jemen janë vrarë 137 pjesëtarë të AQAP-it, degë kjo e Al Qaidës në Gjirin e Arabisë. CIA dhe ushtria amerikane kanë në dispozicion 800 fluturake pa pilot. Sekretari amerikan i mbrojtjes, Leon Panetta, planifikon që gjatë viteve në vijim të trefishojë numrin e këtyre fluturakeve.

Obama shpreson që nga lufta nën hije të përfitojë gjatë fushatës së tij zgjedhore: ajo duket si një luftë efektive dhe e pastër, ngase gjatë saj nuk po vriten shtetas amerikanë. Në anën tjetër, Obama ka filluar të tërheq ushtarët: misionit në Irak tashmë i ka dhënë fund. Misioni luftarak në Afganistan pritet të përfundojë në vitin 2014. Krahas kësaj, ai duhet të kursejë edhe buxhetin e mbrojtjes: së paku 500 miliardë dollarë gjatë dhjetë viteve në vijim.

Kjo është njëra ana. Ana tjetër tregon një president, i cili filloi mandatin si një njeri i nderuar me çmimin Nobel për Paqe, i cili tani personalisht është i përfshirë në “biznesin e vdekjes”. Detaje të reja për “luftëtarin” Obama kanë tërhequr vëmendjen e opinionit në Amerikë.

“Obama njeh njerëzit, të cilët duhet të sulmohen. Ai duhet të miratojë sulmet. Ai duhet të miratojë të gjitha sulmet në Jemen dhe Somali, e gjithashtu edhe sulmet mjaft të rrezikshme në Pakistan”, njoftoi së fundi gazeta New York Times.

A e ka bërë Obama botën më të sigurt? Mund të thuhet se po, ngase si pasojë e këtyre sulmeve janë vrarë mjaft udhëheqës të Al Qaidës. Sa jetë të njerëzve ka shpëtuar Obama me anë të këtyre pyetjeve? Ka të drejtë ai që gjatë këtyre sulmeve të rrezikojë edhe njerëz të pafajshëm? Por cila është alternative për këtë luftë? Nuk ka përgjigje të qarta në këto pyetje.

Njerëzit e Obamës theksojnë se ai në vazhdimësi tento që t’i shmangë viktimat në radhët e civilëve dhe ka ndodhur që ai ka ndalur apo ka shtyrë fillimin e operacioneve.

Obama po justifikohet me “luftën e drejtë”. Këtë e ka thënë edhe gjatë fjalimit të tij, me rastin e pranimit të çmimit Nobel, në dhjetor të vitit 2009. Atëbotë ai theksoi se ka periudha, kur shtetet angazhimin e ushtrive të tyre jo vetëm që e konsiderojnë si të domosdoshëm, por edhe moralisht të drejtë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›