‘Ndëshkon’ bojkotuesit

Kombëtarja shqiptare është rikthyer të mërkurën pasdite nga Bonos Aires, ku kishin udhëtuar ditë më parë për ta zhvilluar ndeshjen miqësore kundër përfaqësueses së Argjentinës (4:0).
Me të mbërritur në Tiranë, Josip Kuze ka folur për vështirësitë e grumbullimit të lojtarëve kryesorë të ekipit për këtë takim dhe përshtypjet nga përballje me gauçosët. Ai ka thënë se do t’i ketë parasysh futbollistët që e refuzuan për ndeshjen miqësore kundër Argjentinës.
“Ndoshta nuk do të ketë dënime për lojtarët që nuk erdhën, por unë kam memorie të mirë dhe do të mendoj për të gjitha momentet. Do t’i respektoj lojtarët që kanë ardhur dhe do t’i kam parasysh sigurisht lojtarët që nuk kanë ardhur”, ka thënë Kuze, duke lënë të kuptohet se në të ardhmen mund të mos e ftojë ndonjë nga lojtarët që i thanë JO për takimin me Argjentinën.
Kuze si asnjëherë më parë u përball me vështirësi të shumta rreth emërimit të ekipit, pasi lojtarët kryesorë e refuzuan ftesën për këtë miqësore e madje disa të tjerë as që i hapën telefonin.
Ish trajneri i Dinamo Zagrebit u detyruar ta bëjë ekipin me disa lojtarë të rinj, por që nuk e zhgënjyen, edhe pse pësuan humbje 4:0 përballë argjentinaseve të udhëhequr nga Lionel Messi.
“Sigurisht një ndeshje e vështirë, por ne e respektojmë kundërshtarin. Në 15 minutat e para u munduam të rezistojmë. Do më pëlqente të kisha ekipin e parë, por edhe të rinjtë u përshtatën shumë shpejt”, është shprehur Kuze.
“Ishte një eksperiencë e bukur pasi luajtëm kundër një skuadre të madhe si Argjentina. Sigurisht humbja 4-0 është e thellë dhe një aspekt negativ, por unë dua të nënvizoj vetëm gjërat pozitive. Sigurisht me Mesin nuk ia dolëm, por ishte një ndeshje e rëndësishme, pasi provuam lojtarë të rinj që do të jenë të rëndësishëm për të ardhmen”, ka shtuar Kuze.
Kombëtarja shqiptare ndeshjen e radhës do ta zhvillojë në fillim të shtatorit kundër përfaqësueses së Francës, e cila do të zhvillohet në kuadër të eliminatoreve për ‘Euro 2012’.