Së shpejti “Shqip Film Fest”
Të mërkurën është shpalosur programi dhe të rejat e edicionit të dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të metrazhit të shkurtër “Shqip Film Fest”, nga këshilli organizativ, në një konferencë për media në qytetin e Pejës.
Gjatë pesë ditëve, sa do të zgjasë festivali, nga data 25-30 qershor, do të shfaqen rreth 38 filma. Do të ketë filma nga Gjermania, Spanja, Franca, Italia, Estonia, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli, Sri Lanka si dhe shumë vende tjera të botës. Derisa me karakter garues do të jenë 22 filma, jashtë konkurrence do të shfaqen 18. Gjashtë filma do të jenë nga vendet shqipfolëse.
Njëri nga ideatorët dhe themeluesit e festivalit, Reshat Alia, theksoi që ky vit do të jetë më i mirë se viti i kaluar. Sipas tij, kjo vërehet edhe tek juria, ku prej tyre ka edhe fitues të çmimit Oskar. Kryetari i jurisë është nga Danimarka, Martin Strange Hansen, Tanel Toom, regjisor nga Estonia, Martin Brierley, Bahman Motamedian, shkrimtar, regjisor dhe fotograf dhe Blerim Destani, aktor, njoftoi Alia për Express. “Karakteristikë e këtij edicioni është që kemi arritur të sjellim emra të njohur të skenës botërore. Nga edicioni i kaluar në këtë edicion është shumëfishuar numri i mysafirëve prezent, prej të cilëve, janë regjisorë, skenaristë, producentë dhe aktorë filmash të njohur dhe kjo na bënë të ndihemi mirë”, theksoi Alia.
Ky vit ndoshta do të gjejë ndryshime në organizim, mirëpo, qëllimi i festivalit, për të treguar kulturën dhe traditën tonë, nuk do të ndryshojë. “Do të shërbehet gjithçka shqip, nga veshja kombëtare, ushqimi dhe përcjellja dhe pritja e mysafirëve”, tha Alia.
Filmat do të shfaqen në kinemanë e qytetit Jusuf Gërvalla. Filmat jo konkurrues do të shfaqen të dielën, të hënën dhe të martën, nga ora 12:00-14:00, ndërsa filmat konkurrues do të shfaqen të dielën, të hënën dhe të martën nga ora 19:00. Nga gjithë këta filma do të njihemi me kinematografinë e 32 vendeve të botës.
Përveç pjesës artistike, mysafirët kanë edhe pjesën relaksuese. Pas shfaqjes së filmave gjatë paradites, do të bëhet organizimi i shëtitjes nëpër vendet e ndryshme të Pejës me rrethinë. Ndërkaq pas shfaqjes së filmave të mbrëmjes, do të ketë after party.
Alia tha që edhe këtë vit festivali do të jetë në qytetin e Pejës, ndërkaq ende nuk dihet për vitet tjera, sepse ideja që në fillim ishte që festivali të lëvizë nga një qytet në një tjetër dhe atë në të gjitha vendet ku ka shqiptarë, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, kudo ku flitet shqip. Por Kuvendi Komunal i Pejës u ka bërë një lutje organizatorëve. “Që vitin e kaluar Kuvendi Komunal i Pejës ka kërkuar që të mbajmë festivalin në Pejë dhe të bëhet tradicional, mirëpo kjo do të vendoset pasi të përfundojë festivali, ne do të ulemi dhe do të vendosim për vitin tjetër, a do të vazhdojmë në Pejë apo do të zhvendosemi në ndonjë qytet tjetër, nuk kemi vendosur ende”, theksoi Alia.