Seriozisht për doping

Akuzat e Ballkanit ndaj lojtarëve të Lepencit për përdorim të substancave stimuluese dhe deklarata e ish futbollistit të njohur Ismet Munishti se në vendin tonë përdoren mjetet e ndaluara, kanë alarmuar Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).
Kjo ka shtyrë drejtuesit e futbollit kosovar të mendojnë seriozisht për nisjen e kontrolleve anti-doping, edhe pse kjo është dashur të bëhet qysh moti pasi po synojmë anëtarësimin në FIFA e UEFA.
“Është hera e parë që kemi marrë një ankesë nga një klub, në këtë rast prej Ballkanit, i cili dyshon në lojtarët e ekipit tjetër të kenë përdorur substanca të tilla”, deklaroi për Express sekretari i FFK’së, Eroll Salihu.
“Ky rast na ka alarmuar. Meqenëse kjo temë tashmë veç është hapur, ne do ta trajtojmë seriozisht. Madje, kjo temë do të diskutohet qysh në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, e cila mbahet të enjten. Sigurisht se Komiteti Ekzekutiv do t’ia japë mandatin Komisionit Mjekësor ta hulumtojë çështjen shumë seriozisht, në mënyrë që edhe kjo dukuri negative, e cila nëse ekziston, të luftohet me gjithë kapacitetin e mundshëm që kemi”, theksoi Salihu.
Më herët rreth kësaj dukurie as që është diskutuar në vendin tonë e lëre më që futbollistët t’u jenë nënshtruar kontrollimeve mjekësore anti-doping. Por, shtëpia e futbollit kosovar paralajmëron se nga sezoni i ri do t’i obligojë futbollistët që pas ndeshjeve t’u nënshtrohen kontrollimeve mjekësore.
Me short doktorët bëjnë përzgjedhjen e futbollistëve prej të dyja ekipeve, prej të cilëve marrin mostra të gjakut apo urinës dhe i analizojnë në laborator për t’u kuptuar se a ka përdorur dikush doping apo jo.
“Nga edicioni i ri sigurisht se me short do të kontrollohen futbollistët. Mostrat do të dërgohen jashtë vendit për analizë, ndoshta në Zagreb, sepse nuk e di që te ne ka asi lloj laboratori apo dika afër”, përfundoi Salihu.
‘Ephedrine’ edhe sot është substanca më e përdorur nga futbollistët kosovarë. Kjo substancë e rrit volumin e muskujve, e largon lëngun e tepërt nga muskujt, i bën më të fortë, derisa e rrit edhe kapacitetin e frymëmarrjes në mushkëri.