‘Shtëpi Kukulle’ në Tiranë

Personazhin e Norës do ta luajë aktorja nga Tirana, Klodiana Kadillari, e cila ka dëshmuar profesionalizmin e saj në artin e aktrimit me monodramën kushtuar ikonës së humanizmit, Nënës Terezë.
Në rolin e Norës, Kadillari shpalos personifikimin si simbol të artistes së krijuar. Ajo arrin të mbijetojë çdo sfidë dhe tejkalon të gjitha barrierat, duke i rezistuar kështu kohës. Misioni i saj është pasioni për skenën dhe dëshira e parealizuar për t’u bërë nënë...
Një artist i mirëfilltë i sfidon shfrytëzuesit e artit, që artit nuk i japin asgjë por që të shenjtën e shfrytëzojnë për qëllime personale. Në pamundësi që të vetërealizohen, shfrytëzuesit e artit shndërrohen në tutor të artistëve të mirëfilltë. Ata nuk zgjedhin mënyrë për të qenë në poste udhëheqëse, por kërkojnë që të ngopin epshet e tyre në kurriz të artit dhe artistëve të mirëfilltë.
Nora e Ibsenit nga një balerinë e brishtë transformohet në një “striptease-dancer të çakërdisur’’. Pra, Nora paraqet flijimin e një shoqërie të shthurur. Ajo lufton mes jetës dhe vdekjes për të mbijetuar në katrahurën e kësaj shoqërie – që ndodhet midis reales dhe areales.