Pokër tulipanësh ndaj kuqezinjëve 17 vjeçarë
Shqipëria U-17 e ka nisur me një humbje 4-0 Raundin e Elitë, ku holandezët kanë humbur edhe dy 11-metërsha. Nesër sfida e dytë me Serbinë.
Holandë U17 - Shqipëri U17 4-0
Shënues: Vloet 37, 52, Trindade de Vilhena 47, Haye 49
Holanda: Olij, Anderson, Bazoer, Ake, Hendriks, Haje, Akolatse, Trindade de Vilhena (Marinus 65), Vloet (Huser 75), Lumu (Sanoh 56), Voest. Trajner: A. Stuivenberg
Shqipëria: Teqja, Jaonuzi, Syku, Marku, Sokoli,Vorpsi, Çekiçi, Hakrama, Ymeralilaj (Lokaj 56), Ymeraj, Murati (Beqiri 73). Trajner: Xh. Mustedanagiç
Gjyqtarë:D. Antamo, J. Honkanen (Finlandë), E. Aeveshatajan (Armeni)
Katonë të verdhë: Marku
Raundi Elitë për kuqezinjtë 17-vjeçarë të drejtuara nga trajneri Xhemal Mustedanagiç ka nisur me një humbje të thellë 4-0 me Holandën. Shqipëria ndodhet në grupin e pestë të Raundit Elitë së bashku me Serbinë, Irlandën dhe Holandën si vend organizator. Dihej se shanset për të kaluar në finale ishin të pakta për kuqezinjtë, por në Holandë kombëtarja U-17 shkoi për një përfaqësim dinjitoz.
Starti ishte i vështirë, pasi Shqipëria kishte përballë Holandën, që është kampionia në fuqi dhe mikëpritësja e këtij grupi. Më herët në këtë grup u luajt sfida mes Serbisë dhe Irlandës që u fitua 1-0 nga serbët. 17-vjeçarët shqiptarë kanë rezistuar në pjesën e parë, por në të dytën janë ndëshkuar nga furia holandeze, ku vendasit kanë humbur edhe dy penallti.
Pjesa e parë Kuqezinjtë e nisin mirë ndeshjen, pasi janë ata që krijojnë rastin e parë me Hakramën, Por pas këtij momenti holandezët janë më kërkues dhe portieri i kombëtares së Shqipërisë, Aldo Teqja, ka shumë punë për të bërë. Në minutën e 23-të Teqja i mohon një mundësi shënimi holandezit Lumu.
Në minutën e 26-të Holanda humbet një rast të pastër shënimi, ku pas një faulli të shkaktuar nga Jonuzi tulipanët kanë fitojnë të drejtën e gjuajtjes së një 11 metërshi. Trindade de Vilhena gjuan nga pika e bardhë, por gabon. Në minutën e 32-të sërish shpëtimtar i kuqezinjëve bëhet portieri Teqja. Tre minuta nga fundi, në të 37-ën, Vloet shënon golin e parë për holandezët. Pjesa e parë 40 minutëshe mbyllet me fitoren 1-0 të Holandës.
Pjesa e dytë Nëse në 40 minutat e para kuqezinjtë e trajnerit Mustedanagiç rezistuan, në pjesën e dytë lëshohen. Në minutën e 47-të Trindade de Vilhena shënon golin e dytë dhe shlyen gabimin që bëri në minutën e 26-të kur humbi penalltinë. Dy minuta më vonë është radha Haje për të shënuar golin e tretë për 17-vjeçarët holandezë. Në minutën e 52-të Vloet shënon golin e katër të takimit dhe të dytin personal .
Në minutën e 63-të holandezët kanë një tjetër shans për të shënuar nga pika e bardhë dhe gjuajtjen e kësaj penalltie e merr përsipër Anke, por portieri i kombëtares shqiptare Aldo Teqja tregohet sërish shpëtimtar duke e ndalur topin. Në pjesën e dytë është një dominim total i holandëzëve, por përpos rasteve të shumta i gjithë takimi përfundon në shifrat 4-0
