S’e duan as zonjën Assad

Sipas televizionit BBC, i cili i referohet burimeve diplomatike evropiane në Bruksel, emri i Asma al-Assad, që ka lindur në Britani, figuron në mesin e 12 emrave të rinj të zyrtarëve të lartë sirianë që i janë shtuar listës së personave të cilëve nuk iu lejohen që të udhëtojnë në shtetet e Eurozonës. Natyrisht, kjo listë ende kryesohet nga presidenti sirian, Bashar al-Assad.
Nuk ka të dhëna nëse Asma al-Assad do të pengohet që të udhëtojë në Britaninë e Madhe, meqenëse veç asaj siriane ajo posedon edhe një pasaportë britanike.
Sanksionet ndaj zonjës së parë të Sirisë u vendosën pas akuzave gjithnjë e më të shpeshta të grupeve opozitare se edhe ajo është poaq përgjegjëse për masakrat që po ndodhin në Siri sa edhe burri i saj.
Zgjerohen edhe listat tjera
Nga ana tjetër, BE tashmë ka vendosur sanksione ndaj 150 personaliteteve dhe kompanive siriane, si reagim ndaj aksioneve të dhunshme ushtarake të forcave të presidentit al-Assad ndaj kryengritësve.
Burime diplomatike në Bruksel thonë se ministrat e BE’së, tani synojnë që listës ekzistuese me emrat e 61 personave, të cilëve iu ndalohet udhëtimi në BE dhe bllokimi i pasurisë jashtë vendit, t’ia shtojnë edhe emrat e 18 iranianëve të tjerë, të cilët konsiderohen përgjegjës për abuzime politike dhe financiare.
Por, lista e zezë e BE’së nuk përbëhet vetëm nga shtetas sirian dhe iranian.
Kjo, për shkak se në këtë listë BE’ja pritet të shtojë edhe 29 kompani dhe 12 individë të rinj në listën e zezë të 230 bjellorusëve. Ky veprim do të bëhet si reagim ndaj shtypjes së opozitës bjelloruse nga ana e regjimit të presidentit Aleksander Lukashenko.