SHBA-të nuk e njohin më UNMIK-un

"Nënshkrimi i Marrëveshjes Bilaterale shënon një arritje të rëndësishme për partneritetin e dy Qeverive. Kjo Marrëveshje do të zëvendësojë memorandumin e mëparshëm të mirëkuptimit, të nënshkruar nga ana e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), më 17 Janar 2002, i cili kishte përcaktuar kornizën për një bashkëpunim në mes të UNMIK-ut dhe USAID-it për programet e asistencës/përkrahjes në Kosovë. Megjithatë, meqë partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës është zgjeruar në një masë të konsiderueshme, tani është koha e duhur që të krijohet një marrëveshje e drejtpërdrejt, gjithëpërfshirëse bilaterale në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës" thuhet në një komunikatë për media, transmeton indeksonline.
Marrëveshja në fjalë i përcakton procedurat për planifikim dhe implementim të bashkëpunimit të mëtutjeshëm diplomatik, politik, ekonomik dhe kulturor, në mënyrë specifike në mes të dy vendeve dhe e dëshmon përkushtimin afatgjatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Qeverinë dhe popullin e Kosovës.