146 të vdekur nga vërshimet në Rusi

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka shkuar në zonën e prekur dhe ka pasur biseda me zyrtarët e emergjencës në qytetin e Krymsk, qytet me 57 mijë banorë që po kalon momentet më të vështira.
Televizioni rus ka transmetuar pamje të mijëra shtëpive të zhytura thuajse plotësisht në ujë dhe zyrtarët e policisë bëjnë të ditur se shumica e viktimave janë persona të moshuar, që kanë qenë në gjumë kur uji është futur në shtëpitë e tyre.
Dhjetëra persona raportohen të humbur dhe pritet që bilanci i viktimave të shtohet më tej. Skuadra të emergjencës janë dërguar nga Moska me helikopterë dhe aeroplanë.
Guvernatori i rajonit, Alexander Ktachev, është shprehur për agjencinë ruse të lajmeve Itar-Tass: “Askush nuk mban mend përmbytje të tilla më parë. Është e paimagjinueshme ajo që po ndodh.”