Falimenton Jerat
Wolfgang Jerat ka probleme serioze. Trajneri gjerman le që ka mbetur pa para, por është futur në borxhe deri në fyt, të cilat nuk ka se me çka t’i kthejë. Tabloidi gjerman Bild shkruan se ish trajneri i Prishtinës është në deficit prej rreth 330 mijë eurosh dhe ka kërkuar nga shteti që ta mbajë.
Jerat e kishte një firmë së bashku me një ortak, por nuk diti ta menaxhojë dhe ajo firmë falimentoi. Në fakt, ortaku i tij, shkruan Bild, ia ka vjedhur Jeratit 150 mijë euro dhe ka përfunduar në burg. Pas dy muajsh, gjyqi e pret edhe vetë trajnerin gjerman. “Jerat ka borxhe të mëdha, më saktësisht 335.24,61 euro. Ai nuk ka se me çka t’i kthejë ato. Wolfgang ka kërkuar ndihmë nga shteti gjerman që ta mbajë atë”, shkruan Bild.
Ndërkohë, ky i fundit njofton se 57 vjeçarin është duke menduar ta ndihmojë Viktoria Koln, që garon në ligën e katërt gjermane. Ish trajneri i Kolnit e udhëhoqi Prishtinën në gjysmën e dytë të sezonit të shkuar, por rezultatet e dobëta bënë që ai të shkarkohej, duke iu ofruar një post tjetër në klub deri në fund të sezonit, kur bardhekaltrit u shpallën kampionë. Gjatë verës ai u rikthye në atdhe, ndërsa problemet për të nuk kanë fund.