Panairi pranveror i Librit në Vlorë
Panairi i Vlorës do të mbahet nga 20 deri më 24 prill, në shëtitoren e Skelës, ndërkohë që ceremonia e hapjes solemne do të bëhet më 21 prill, në praninë e njerëzve të letrave edhe dashamirëve të librit.
Sipas organizatorëve, në panair marrin pjesë rreth 40 botues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, ndërkaq pjesë e tij do të jenë rreth 5,000 tituj, 600 prej të cilëve libra të rinj.
Ndryshe, në Vlorë mbahen dy panaire libri brenda vitit, dhe ky është edicioni pranveror i tij, ngase tjetri mbahet gjatë stinës së verës, kur numri i banorëve të Vlorës trefishohet falë pushuesve shqiptarë e të huaj.
Shoqëria e Librit Shqip, e mbështetur nga Bashkia e Vlorës dhe disa shoqata të qytetit, kanë njoftuar për organizimin e një sërë veprimtarish përcjellëse, si takime me krijues dhe përurime të botimeve të fundit të autorëve kryesisht vlonjatë, etj.
Në mesin e shkrimtarëve që do të paraqiten me botimet e tyre të fundit janë Fatos Kongoli, i ftuar special i këtij panairi, Diana Çuli, Ardian Klosi, Pirro Misha, Flutura Açka, Eva Gavani etj.