E Diel, 1 Nëntor 2026

“Belvedere” kalon në menaxhimin e komunës së Mitrovicës

Nga Express më 19 qershor 2011 në ora 21:00

Komuna e Mitrovicës ka marrë në menaxhim të gjitha pajisjet dhe hapësirën e kampit “Belvedere” në Frashër, ku deri me tani ka qenë i vendosur KFOR-i.

Kjo është bërë e mundur pas vendimit të Ministrisë së Mbrojtjes të shtetit francez.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka falënderuar ambasadorin francez Zhan Fransua Fitu dhe shtetin francez për këtë vendim, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm për Mitrovicën.

“Në qytetin tonë ka probleme të mëdha për shkak të rrethanave specifike, sidomos për strehim dhe këto pajisje që gjenden aty do të shfrytëzohen për këtë qëllim”, ka thënë Kastrati.

Ndërsa drejtori komunal për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari, sqaroi se përveç rasteve sociale që kanë probleme me banim, në kontejnerët që gjenden në atë vend do të vendosen edhe familjet e riatdhesuara, si dhe një hapësirë do të ndahet për azilkërkuesit.

Sipas tij, hapësira e liruar nga KFOR-i do të menaxhohet bashkërisht nga Komuna dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës (MPB).

Ai tha se në territorin e komunës gjenden katër strehimore kolektive, dy në Mitrovicë dhe dy të tjera në Stan Tërg, ku janë të vendosur rreth 270 banorë, shumica e tyre prej veriut.

“Kushtet e tyre të banimit nuk kanë qenë të mira asnjëherë. Ne kemi biseduar me ta për zhvendosjen e tyre në Frashër dhe shumica e tyre e kanë mirëpritur”, ka thënë drejtori Jashari.

Ai theksoi se organizimi i banimit në Frashër do të jetë shumë më i lehtë, meqë kushtet janë të tilla që mundësojnë një gjë të tillë.

“Aty gjendet edhe kuzhina e cila do të shfrytëzohet për banorët që do të vendosen aty”, tha ai.

Sa i përket bashkëmenaxhimit me MPB-në, ai potencoi se komuna do ta ketë përgjegjësinë për pjesën ku do të vendosen banorët mitrovicas që kanë probleme me strehim, ndërsa ministria do të kujdeset për pjesën e atij vendi ku do të vendosen të riatdhesuarit dhe azilkërkuesit.

Sipas tij, në Frashër ku gjenden rreth 800 dhoma banimi në një hapësirë prej rreth 20 hektarësh, do të ndahet fizikisht për rastet sociale, të riatdhesuarit dhe azilkërkuesit.

“Prej të dielës ai vend është në përgjegjësinë tonë dhe tashmë sigurinë aty është duke e bërë Policia e Kosovës”, ka thënë Jashari. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›