Marrëveshje e verës mes policive
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Reshat Maliqi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit të Shqipërisë Hysni Burgaj, pas një takimi që zhvilluan në Tiranë, nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi mes dy policive.
Të ndërgjegjshëm për faktin se gjatë sezonit turistik Qershor – Shtator 2011, ka një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve nga Kosova që shkojnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë, si dhe të mjeteve që qarkullojnë në akset kryesore rrugore që lidhin të dy vendet, është pa e nevojshme organizimi i shërbimeve te përbashkëta.
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit ka të bëjë me Organizimin e shërbimeve të përbashkëta të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Policisë së Kosovës, në akset kryesore rrugore të Republikës së Shqipërisë, përgjatë sezonës verore.
“Bashkëpunimi dhe komunikimi ynë besoj se do të fuqizohet akoma më tepër edhe në të ardhmen, sepse ne kemi partnerët më të fuqishëm, Policinë e Shqipërisë, që ndihmon Policinë e Kosovës në të gjitha fushat”, tha Maliqi.
Marrëveshja ka për qellim, vendosjen e bashkëpunimit konkret në fushën e parandalimit të kundërvajtjeve administrative për rritjen e efikasitetit të luftës ndaj humbjes së jetëve njerëzore në aksidentet rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor, për krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës, që qarkullojnë në akset rrugore që lidhin dy vendet.
Implementimi i marrëveshjes nis të realizohet nga dita e hënë.