“Danas” zbulon autonomi financiare për “veriun serb” të Kosovës
Sikurse shkruan gazeta “Danas”, autoritetet në Prishtinë dhe vet kryeministri Hashim Thaçi nuk pajtohen me këtë plan të një lloji të autonomisë financiare për veriun e Kosovës, “por do të detyrohen ta pranojnë dhe Gjermania është e gatshme që këtë t’ua sqarojë kur për këtë të vije koha”.
Natyrisht, edhe kjo zgjidhje nënkupton që veriu të jetë pjesë e Kosovës së pavarura, gjegjësisht “çfarëdo ndarje nuk vjen në konsiderim”. Sa i përket zgjidhjes së përgjithshme të problemit ndërmjet Beogradit e Prishtinës, bashkëbiseduesit e gazetës në fjalë ripërsërisin se autoritetet në Berlin nuk do të kishin asgjë kundër që të zbatohet modeli i dy Gjermanive, e ku të dy palët do të bashkëpunonin, por nuk do ta njihshin (zyrtarisht) shtetësinë e tjetrit.
“Njohja e Kosovës nuk është kusht që Serbia të bëhet anëtare e BE. Zyrtarët në Beograd vazhdimisht flasin se njohja e pavarësisë së Kosovës është kushti aktual ose i mundshëm që po shtrohet para Serbisë, me çka po largohen nga shumë çështje më të rëndësishme të cilat e interesojnë Gjermaninë dhe BE“, sqarojnë për gazetën në Ministrinë e Jashtme gjermane, transmeton Indeksonline.
Sikurse vihet në pah, shtatë kërkesat e grupit parlamentar CDU-CSU në Bundestag, midis të cilave edhe ai që Beogradi e Prishtina duhet ta nënshkruajn deklaratën me shkrim mbi raportet e mira fqinjësore, ”janë shumë të afërta“ me atë që përfaqësuesja e lartë e BE për politikën e jashtme, Ketrin Eshton ua ka rekomanduar disa herë radhazi autoriteteve serbe, të vjetra e të reja, përfshirë edhe kryeministrin aktual Ivica Daçiq.
“Gjoja befasitë e autoriteteve serbe se nuk kanë ditur asgjë për qëndrimet e CDU-CSU paraqesin të pavërtetën”, tërheqin vërejtjen në Berlin.
Burimet e gazetës “Danas” nga ministria e Gido Verstevele, vënë në dukje se Serbia me siguri të plotë nuk do ta marrë datën e fillimit të negociatave mbi anëtarësimin në BE në dhjetor, dhe nëse autoritetet serbe do ta zvarrisin zgjidhjen e problmeve dhe zbatimin e reformave – nuk do ta marrin as në mars, as në qershor të vitit të ardhshëm.
“Kjo do të ishte edhe më keq për Beogradin zyrtar, sepse Gjermania në pranverë do t’i kthehet tërësisht fushatës për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në shtator të vitit 2013, dhe asnjë politikan gjerman në atë periudhë nuk do të punojë në shtrirjen e BE”, shkruan kjo gazetë.