E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj iu uron Bajramin shteteve me shumicë të popullsisë myslimane

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka uruar festën e Kurban Bajramit, shefave të diplomacive të 42 shteteve me shumicë të popullsisë myslimane.

Në telegramet e urimit dërguar homologëve të tij nëpër botë, Ministri Hoxhaj, në emër të popullit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, me rastin e festës së Kurban Bajramit, ka shprehur urimet më të përzemërta për një Bajram të gëzuar, për lumturi dhe prosperitet për popujt e këtyre shteteve.

“Kurban Bajrami simbolizon unitetin, vëllazërimin dhe dashurinë ndërmjet njerëzve. Kjo festë përfaqëson sakrificën, solidaritetin dhe dëshirën për të kryer vepra fisnike. Ne shpresojmë për paqe, prosperitet dhe jetë më të mirë për të gjithë popujt”, thuhet ndër të tjera, në letrat e Ministrit Hoxhaj.

Në telegrame, Ministri Hoxhaj po ashtu thekson se Kosova si shtet i ri, që nga shpallja e pavarësisë, ka arritur rezultate të theksuara në shumë fusha të rëndësishme që kanë të bëjnë me shtetndërtimin.

“Ne llogarisim në mbështetjen tuaj, dhe po ashtu besojmë se marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve dhe popujve tanë do të thellohen në vitet në vijim”, thuhet në telegramin e Ministrit Hoxhaj, dërguar shefave të diplomacive të shteteve me shumicë myslimane.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›