E Shtunë, 31 Tetor 2026

“E kallin” për pavarësi

Festa e pavarësisë është një festë fitimprurëse për këngëtarët. Shumë restorante kanë organizuar mbrëmje me këngëtarë të ndryshëm. Xeni nuk e tradhtoi Gjakovën, kurse Korab Shaqiri këndoi në Skënderaj e Prishtinë. Të tjerë “e kallën” diasporën. Nga Ardian Jasiqi më 18 shkurt 2011 në ora 11:30

Prishtina, për ditën e pavarësisë, ka qenë e mbushur me oferta të ndryshme për pritjen e 17 shkurtit, Ditës së pavarësisë së Kosovës, pasi që oferta ka pasur nga të gjitha restorantet e Prishtinës, por edhe qyteteve të tjera. Pas nuk kanë mbetur as klubet e natës pasi në Full House i ftuar ka qenë “Fatman Scoop”.

Këngëtarët e muzikës popullore, por edhe ata argëtuese, kanë ofruar oferta të leverdishme për adhuruesit e tyre, pasi që kanë kontraktuar për të kënduar për trevjetorin e pavarësisë në shumicën e restoranteve, madje muaj më parë.

Njëri prej këngëtarëve më të kërkuar, sidomos kur është në pyetje muzika “live” popullore, Xeni, ka thënë për Express se pavarësinë do ta presë në Gjakovë, ku do të këndojë bashkë me orkestrën e tij në njërin prej restoranteve atje.

“Është një ndjenjë tjetër të këndosh për pavarësi, sepse është një festë e veçantë për ne”, ka thënë Xeni për Express.

Sipas tij, këngët që ai do t’i këndojë për festën e pavarësisë do të jenë këngë të repertorit të tij, pasi që ai nuk ka dëshirë të madhe të bazohet në kërkesa të të tjerëve.

“Por, normal do të jenë këngë paksa ma patriotike, si kënga ‘Ani moj Shqipni’ dhe këngë të tjera, të cilat zakonisht këndohen për festa të këtilla”, ka thënë Xeni.
Këngëtari Korab Shaqiri duket se ka zgjedhur të këndojë në dy vende për trevjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Vëllai i tij ka thënë nëpërmes telefonit se ai do të këndojë në Skenderaj dhe mandej në Prishtinë, kurse babi i Korabit, Ilir Shaqiri pritet që të merret me realizimin e programit të RTK-së dhe koncertit që do të shfaqet në këtë televizion për nder të pavarësisë.

Këngëtarja e “Etheve...”, Flaka Krelani po ashtu do të këndojë për natën e pavarësisë, por ajo ka thënë se nuk do ta bëjë këtë në ndonjë restorant në Prishtinë apo gjetiu.
“Do të këndoj në koncertin që është organizuar në Prishtinë e që do të transmetohet në RTK”, ka thënë Krelani për Express.

Mirëpo, Krelani e kishte festuar ditën e pavarësisë në orët e mëngjesit të së mërkurës në një klub në Prishtinë.

“E kemi festuar mbrëmë pas orës 12 në një klub në Prishtinë bashkë me shoqëri, por edhe me adhuruesit e mi”, ka thënë Krelani për Express.

Këngëtarët e Kosovës zakonisht viteve të fundit e kanë bërë si të modës që të këndojnë nëpër restorante të ndryshme, sidomos me rastin e festave.
Tani, përpos festës së Bajramit, Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, atyre u është shtuar edhe festa e pavarësisë.

Shumë nga ata do të këndojnë edhe jashtë Kosovës, pasi që fitimet më të mëdha i kanë atje nëpër diskoteka, pronarë te të cilave janë shqiptarët. Kjo ndoshta është arsyeja pse të enjten shumica prej tyre nuk janë përgjigjur në telefon, edhe pse është përpjekur që të kontaktohen nga Express.

17 shkurti ka bërë që restorantet dhe lokalet të ofrojnë festë të ndryshme për të gjithë ata që kishin vendosur që festën e pavarësisë ta kalonin jashtë gjirit familjar, pasi që përpos klubeve që kanë ofruar muzikë më moderne, aty kanë qenë edhe restorantet, të cilët kanë ofruar muzikë argëtuese.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›