Kinezi jetoi katër vjet me thikë në kokë
Kinezi, i cili shkoi te mjeku pas dhimbjes së padurueshme të kokës, mbeti i shokuar kur e kuptoi se prej katër vitesh mbante një thikë 10 centimetra të gjatë në tru.
Li Fu nga provinca Yunnan ishte lënduar gjatë një plaçkitjeje më 2006, por mjekët s’e kishin vërejtur thikën e cila i kishte mbetur në kokë.
E pabesueshme, por thika mbeti e pavërejtur derisa Li nuk shkoi muajin e kaluar te mjeku për shkak të dhimbjes së kokës. Atëherë mjekët zbuluan thikën gjatë një kontrolli rutinor.
Li dhe familja e tij mbetën të shokuar dhe kërkuan mendimin e mjekëve të tjerë para operacionit. Ai më pas është operuar, thika i është hequr nga koka, ndërsa gjendja e tij është stabile. Kirurgu Luo Zhiwei tha se nuk kishte përjetuar diçka më të çuditshme në karrierën e tij.
“Është e pabesueshme sesi Li i kishte mbijetuar therjes me thikë, si dhe për faktin sesi ka mundur të jetojë më shumë se katër vjet me thikë në kokë. Kjo është një mrekulli mjekësore, thika ishte e plotë para se ta nxirrnim nga koka e pacientit”, tha ai, shkruan Daily Mail.