E Diel, 1 Nëntor 2026

“Fol”: Investimet në arsimin e lartë nuk sigurojnë cilësi

Prishtinë, 31 gusht - Përfaqësues nga Ministria e Arsimit, institucionet private të arsimit, Kuvendi i Kosovës, partitë politike dhe shoqëria civile kanë debatuar të martën për investimet publike në arsimin e lartë në Kosovë në një tryezë që e ka organizuar Lëvizja “FOL”.

Në këtë tryezë me temën: “Investimet publike në arsimin e lartë në Kosovë” është trajtuar gjendja aktuale e fondeve publike në këtë sektor dhe mundësitë apo nevojat për ngritjen e tyre, ndërsa vlerësimet dhe vërejtjet e të pranishmëve u tha se do të inkorporohen në raportin për të njëjtën çështje, i cili do të publikohet gjatë muajit shtator nga Lëvizja “FOL”.

Fillimisht Armend Mazrekaj, nga Lëvizja “FOL” ka prezantuar një analizë të shkurtër rreth investimeve publike në arsimin e lartë në Kosovë. Ai, sipas KosovaLive, tha se mungesa e cilësisë dhe autonomisë së institucioneve të arsimit të lartë, infrastruktura e dobët, stafi i pamjaftueshëm akademik, mungesa e bërjes së hulumtimeve dhe fondet e varfra publike janë vetëm disa nga problemet që janë duke ndikuar në nivelin e dobët të këtij sektori.

Ai vërejti se përpjekjet dhe angazhimet e institucioneve të Kosovës kanë qenë të pamjaftueshme për arritjen dhe përmbushjen e synimeve dhe orientimeve drejt një “shoqërie të dijes” dhe “shoqërie të konkurrencës”, e cila do të garantonte dhe siguronte integrim në “tregun e punës” dhe në “tregun e ideve”.

Abdulla Alija, drejtor i Departamentit për arsimin e lartë në Ministrin e Arsimit, ka theksuar se Ministria e Arsimit ka ngritur buxhetin e përgjithshëm për arsimin e lartë në rreth 4 milionë euro.

“Hartimi i programeve akademike është në pajtueshmëri me nevojat e tregut. Stafit akademik i janë ngritur pagat, niveli i gjithëpërfshirës në arsimin e lartë ka pasur një rritje të dukshme në krahasim me vitet e kaluara. Aktualisht autonomia financiare dhe menaxheriale në arsimin e lartë është e plotë”, ka thënë Alija.

Sipas tij, gjithashtu është investuar në infrastrukturë, janë ndarë fonde për hulumtime shkencore dhe është arrit që të ketë diversitet të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.

Jonuz Salihaj tha se Kosovës i duhet një plan ekonomik-strategjik, ku si prioritet kryesor do të jetë arsimi. Ai tha se përqindja aktuale e investimeve në arsimin e lartë është e pamjaftueshme për ngritjen e cilësisë në arsim. Sfidë tjetër sipas Salihajt, është Universiteti i Mitrovicës Veriore, i cili merr fonde nga Qeveria e Kosovës.

Salihaj kërkoi krijimin e mekanizmave për vlerësimin e programeve të akredituara nga Agjencioni për Akreditim, ndërsa bëri vërejtje se po ballafaqohemi me mos realizim të objektivave të planifikuara siç është rasti me Universitetin e Prizrenit, i cili është paraparë të jetë universitet rajonal mirëpo këtë vit nuk ka asnjë student nga rajoni.

“Autonomia e Universitetit të Prishtinës nuk është në gjendje ideale. Senati i UP-së nuk po i zbaton vendimet e veta, dhe kjo lë hapësirë për dyshime për implikime politike”, tha ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›