E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një fitore larg titullit

Sigal Prishtinën e ndan vetëm edhe një fitore prej titullit të kampionit. Bardhekaltrit të dielën e mposhtën me meritë Pejën edhe në ndeshjen e dytë finale të play-off’it me rezultat 74:89. Përballja e tretë që zhvillohet në kryeqytet mund ta kurorëzojë ekipin prishtinas me trofeun e më të mirit. Nga Express më 29 maj 2011 në ora 20:55

Sigal Prishtina e ka bërë një hap shumë të madh drejt titullit të kampionit. Bardhekaltrit të dielën mbrëma e mposhtën si mysafirë Pejën me rezultat 74:89, në ndeshjen e dytë finale të play-off’it në BKT Superligën e Kosovës në basketboll.

Tani kryeqytetasit avancojnë me rezultat 2-0 në serinë e ndeshjeve finale. Dhe, përballja e tretë, e cila zhvillohet në këtë mesjavë në kryeqytet, mund ta kurorëzoj Sigal Prishtinën sërish me titullin e më të mirit, normalisht nëse e mposhtin për të tretën herë ekipin verdh e zi.

Sigal Prishtina, e udhëhequr nga kapiteni Edmond Azemi, mirë e shfrytëzoi mungesën e qendrës amerikane të Pejës, Justin Dobbins. Peja ishte e pafat, pasi edhe Samir Shaptahoviqi herët u lëndua gjatë takimit të dytë, dhe me këto mungesa vendasit vështirë e kishin t’u bëjnë ballë kampionëve aktual.

Bardhekaltrit treguan dhëmbët qysh në çerekun e parë të ndeshjes, të cilin e përmbyllën me rezultat 19:25. Mysafirët luajtën shumë mirë edhe në periudhën e dytë, gjatë të cilës u shkëputën deri në 12 pikë. Kështu, ky çerek përfundoi me rezultat të përgjithshëm 30:45.

Ndërsa, në dy çerekët e fundit mysafirët ishin të papërmbajtshëm për pejanët, ndaj të cilëve shkëputeshin deri në 20 pikë avantazh. Në këtë mënyrë, Peja dukej se u dorëzua qysh në çerekun e tretë, derisa periudha e fundit e lojës u zhvillua vetëm sa për ‘sy e faqe’.

Në këtë mënyrë, Sigal Prishtina fitoi me 15 pikë avantazh, përkatësisht me rezultat përfundimtar 74:89. Kështu, kryeqytetasit dëshmuan se edhe sivjet janë ata që ‘kolliten’ në basketbollin kosovar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›