E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Grabitësi” rrëmben çmimin

“Der Räuber” (Grabitësti) i autorit zviceran, Felix Schalfert, është shpallur filmi më i mirë i edicionit të gjashtë të festivalit Swikos, që sapo përfundoi në Basel (Zvicër).

“Është kjo një befasi e këndshme, sepse nuk prisja fare këtë çmim”, deklaroi autori Schalfert në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Basel, njofton portali Albinfo.ch.

Edicioni i sivjetmë i Swikos, që zgjati prej datës 9 deri më 11 nëntor, u karakterizua me një numër më të madh të filmave nga produksionet zvicerane. Si rrjedhojë edhe filmi tjetër zviceran “Girl und Boy on the Rock”, i autores Maria Sigrist, u shpërblye me çmimin Best Editing.

Kosovari, Rron Ismaili, fitoi çmimin për kamerën më të mirë, për filmin “Matanë lumit”, të autorit Sabir Kanaqi, nga Shqipëria.

Ndryshe, gjatë dy ditëve sa zgjati festivali u shfaqën 14 filma konkurrues, përderisa dita e tretë e tij ishte rezervuar për ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Aktori më i mirë i edicionit Swikos 2012 u shpall aktori kosovar, Mevludin Osmani, për rolin e tij në filmin “Knockdown”, të Amir Vitisë.

“Kjo nuk është hera e parë që marr pjesë në festivalin e filmit të metrazhit të shkurtër në Zvicër... Në film bëhet fjalë për një djalë të ri dhe mjaft ambicioz për të vazhduar me sportin e boksit, por që hasë në shumë vështirësi, ngase nuk ka asnjë anëtarë tjetër të familjes përveç babait. Ai ka edhe një të dashur, e cila vazhdimisht e akuzon se më tepër i përkushtohet boksit se asaj. Ai ka edhe një vend pune, në një autolarje, të cilin duhet ta mbajë për të mbijetuar. Por, ambicie e tij është që të dalë jashtë vendit dhe të boksojë për të fituar”, sqaroi shkurtazi Osmani përmbajtjen e filmit “Knockdown”.

Çmimi i publikut i takoi filmit "Mes Parajsës dhe Ferrit", i autorit shqiptar nga Maqedonia, Ibrahim Deari.

Drejtori i Festivalit, Florin Brajshori, e vlerësoi si të suksesshëm edicionin e sivjetmë, i cili përkon me 100-vjetorin e shtetit shqiptar, megjithëse pjesë e tij nuk ishte asnjë film që i dedikohej kësaj date të rëndësishme.

“Për ne kjo ishte një festë për kineastët e rinj. Kësaj radhe organizuam edhe punëtori me kineastët zviceranë, si ato me producentët zviceranë nga Baseli. Si rezultat lindi ideja e bashkëpunimit për bërjen e një filmi të përbashkët shqiptaro-zviceran në Prishtinë”, deklaroi Brajshori.

Edicioni si sivjetmë i Swikos u mbështet nga Ministria e Kulturës, nga Ministria e Diasporës dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, të cilat e ndihmuan financiarisht organizimin e tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›