Daçiq: IBM-ja e keqe, por duhet ta zbatojmë

“Kosova po rrëshqet kah pavarësia dhe në këtë arsye këmbëngulim, që çështja e statusit të zgjidhet sa më parë, pra edhe kjo marrëveshje e keqe për integrimin e kufirit, duhet të zgjidhet me sa më pak dëme”, ka thënë kryeministri Daçiq për Radio Televizionin e Serbisë.
Kosova ka zgjidhur statusin e saj në vitin 2008, me shpalljen e pavarësisë, e cila u njoh nga më shumë se 90 shtete. Sot është anëtare e mekanizmave ndërkombëtarë financiarë, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.
Daçiq ka theksuar se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, duke shtuar se tash, Serbia është “kthyer në lojë”.
“Ne tash e kemi kthyer Serbinë në lojë, ajo është lojtare, nuk është në tribuna. Në vend se të tjerët, ne do të vendosim për Kosovën. Gjithnjë kemi humbur, nuk e kemi lehtë, por, tash na duhet një politikë e mençur dhe e matur”, ka thënë Daçiq.
Daçiq: Thaçi të jetë i kujdesshëm në deklaratat e tij
Hashim Thaçi duhet të jetë i kujdesshëm në deklaratat e tij, ka thënë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq për gazetën serbe “Blic”, duke ju referuar deklaratave të kryeministrit të Kosovës se Serbia me synimet për ndarjen e Kosovës po luan me zjarr.
Daçiq ka thënë se i kupton deklaratat e Thaçit, sepse është i pa kënaqur me atë që ka bërë për popullin e tij.
“Retorika e tillë e Thaçit është e menduar për konsum të brendshëm në Kosovë, sepse nuk do të vendosë Prishtina dhe është larg asaj për të vendosur se çfarë do të jetë Serbia. Në vend të deklaratave të tilla, më mirë është të merret me dialogun që na pret, marrëveshjet në lidhje me përmirësimin e jetës së bashkësisë serbe, trashëgimisë kulturore, energjisë dhe shumë gjëra të tjera me rëndësi jetike që duhet përmirësuar dhe zgjidhur. Unë i kuptoj deklarata e Thaçit. Ai është i pakënaqur me atë që ka bërë për popullin e tij. Shqiptaret në Kosovë nuk duan të jetojnë me serbët. Sot serbët nuk duan të jetojnë me ta”, ka thënë Daçiq.