Edhe gjenerali Allen përfshihet në skandalin “Petraeus”

Sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta deklaroi se FBI raportoi për çështjen në fjalë në Pentagon ditën e diel. Gjenerali Allen, që mohon të ketë bërë shkelje, do të qëndrojë gjithsesi në detyrë.
Panetta tha për gazetarët që po udhëtonin me të për në Australi se i ka kërkuar gjeneralit Allen pezullimin e emërimit për t’u bërë komandanti suprem i NATO-s në Evropë dhe presidenti Barack Obama ka rënë dakord.
Ai urdhëroi Pentagonin ditën e hënë që të hetojë gjeneralin Allen dhe i kërkoi Komitetit të Shërbimeve Ushtarake të Senatit që të shqyrtojë emërimin e pasardhësit të tij në Afganistan, gjeneralit Joseph Dunford.
Gjenerali Allen ishte në pritje të konfirmimit nga Senati të caktimit të tij si komandant i NATO-s në Evropë. Panetta vlerësoi punën e gjeneralit në Afganistan, duke thënë se lidershipi i tij ka qenë një “instrument” në arritjen e progresit në luftën kundër talebanëve.
Thuhet se Allen i ka dërguar porosi elektronike Jill Kelley, një grua e martuar nga Tampa, e cila është përfshirë në skandalin e Petraeus, pasi i tha FBI-së se kishte marrë e-maile anonime dhe ngacmuese.
Në anën tjetër, zëdhënësi i FBI-së, Shelley Lynch, ka konfirmuar për BBC gjatë orëve të natës se agjentët kanë qenë në shtëpinë e Paula Broadwell, në Charlotte, North Carolina, e cila u zbulua si e dashura e gjeneralit Petraeus.
Zëdhënësi nuk bëri të ditur se çfarë bënë agjentët në shtëpinë e gruas së martuar, nënë e dy fëmijëve.
Petraeus dha dorëheqjen si kreu i CIA-s gjatë javës së kaluar, menjëherë pasi në lajme u publikua lidhje e tij jashtë martesore me biografen Broadwell.