“Hobbit” me Dolby të ri

Kompania Dolby dhe shtëpia e produksionit e regjisorit Peter Jackson njoftuan të mërkurën se, për miksimin e zërit në filmin “Hobbit: An Unexpected Journey” është shfrytëzuar sistemi më i ri i zërimit Dolby Atmos.
Ky sistem i zërimit përbëhet nga dy rende shtesë të altoparlantëve, dhe posedon aftësinë e drejtimit të zërit kah altoparlantët e tjerë që operojnë në kuadër të sallës së kinemasë.
Sipas fjalëve të drejtorit të Marketingut në kompaninë Dolby, Stuart Bowling, regjisori, Peter Jackson, “nuk dëshiron që publiku vetëm t’i shikojë filmat e tij, por edhe që ata të ndjehen pjesë e asaj që po ndodhë në ekran”.
Ndryshe, premiera botërore e pjesë së parë të trilogjisë filmike “Hobbit” është paraparë të jepet më 14 dhjetor të këtij viti. Filmin publiku do të ketë mundësi ta shih në formatin 3D.