“Isaac” i afrohet brigjeve të SHBA-së

Komunitetet përgjatë Bregut verior të Gjirit të Meksikës po përgatiten për stuhinë tropikale Isaac, që parashikohet të arrijë brigjet e SHBA-së dhe ndoshta qytetin i New Orleans në ditët e ardhshme.
Presidenti amerikan, Barack Obama, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Louisiana, shtet që u prek nga shkatërrime të mëdha gjatë uraganit Katrina, 7 vjet më parë.
Guvernatori i Louisianës, Bobby Jindal, u kërkoi banorëve në zonat me rrezik të lartë që të largohen nga vend-banimet e tyre.
"Çdokush që është duke menduar për evakuimin, sot është dita për ta bërë këtë", tha ai dhe këshilloi veçanërisht banorët në zonat e ulëta dhe afër bregut, që të evakuohen para fillimit të stuhisë tropikale dhe shirave.
Shtetet Alabama, Misisipi dhe Florida kanë shpallur gjithashtu gjendje të jashtëzakonshme.
Qendra Kombëtare e Uraganeve thotë se stuhia Isaac mund të godasë brigjet diku midis Floridës dhe Luizianës.