“Kosova punon për vete, jo për BE-në”

Ndërsa, ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, ka pohuar se nuk mund të hyjmë në BE duke mbajtur fjalime të mira, por duke i bërë reformat që janë të nevojshme për t’u bërë.
Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, gjatë një fjalimi që ka mbajtur sot para një grupi të rinjsh, të cilët kishin fituar bursa në skemën “Skema Cell”, u ka thënë atyre se e tërë ajo që po e bën Kosova nuk po e bën për BE-në, por për Kosovën evropiane.
“Tërë procesi evropian i Kosovës nuk është për BE-në, por është për të bërë për Kosovën evropiane dhe kjo është ajo që ne dëshirojmë të bëjmë. Kjo është ajo që jemi duke bërë së bashku, duke e bërë Kosovën më shumë evropiane, hap pas hapi. Është një ndihmë nëse kemi perspektivë të mirë, e cila ka filluar me studimin e fizibilitetit dhe le të shpresojmë në ata për veten e tyre në fund të vitit”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se qëllimi kryesor është për t’u bashkuar me BE-në, jo vetëm sepse e pëlqejmë BE-në, si institucion, apo Brukselin, por e shohim BE-në me shtetet anëtare ku gjërat funksionojnë, njerëzit janë të lumtur, janë të punësuar, ambienti dhe energjetika janë në nivel, gjykatat dhe sundimi i ligjit funksionojnë.
Ndërsa ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, ka thënë se nuk mund të bëhemi pjesë e BE-së duke mbajtur fjalime të bukura, por duke i bërë reformat që na kërkohen.
“Nuk do të mundemi të bëhemi anëtar i BE-së me anë të fjalimeve të mira. Janë të rëndësishme por nuk janë kryesore. Duhet të kryejmë reformat dhe ne që jetojmë në Kosovë e dimë më mirë se çdokush se sa shumë na duhet të bëjmë”, ka thënë ajo.
Çitaku ka thënë se institucionet e Kosovës e kuptojnë se shumë reforma duhet të bëhen. Reforma e administratës publike, sipas saj, është një nga elementet kryesore që duhet të adresohet në procesin e integrimit evropian.
Ajo është shprehur shumë e lumtur për interesimin e kaq shumë të rinj për të studiuar në fushat lidhur me çështjet evropiane. Ajo u ka thënë të rinjve se kur të bëhen pjesë e ministrisë që ajo drejton, atëherë do të kuptojnë sa të rëndësishme janë njohuritë e tyre dhe se Kosova do të ketë nevojë për të rinjtë me qëllim të avancimit të perspektivës evropiane. /kosovapress/