E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia, me dy fytyra ndaj BE-së

Ambiciet dhe aspiratat e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, janë shpeshherë në kundërshtim të plotë me politikën e saj ditore karshi Republikës së Kosovës dhe karshi vendeve të tjera të rajonit. Serbia nuk mundet që paradite në Bruksel të ketë sjellje evropiane, kurse pasdite në Mitrovicë të ketë sjellje antievropiane.

Fati i Serbisë është brenda kufijve të saj dhe është koha e fundit kur ajo duhet ta definojë politikën e saj karshi Bashkimit Evropian. Kjo porosi për Serbinë erdhi nga ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë një konference njëditore që u mbajt sot në Prishtinë, ku ishte temë diskutimi njohja e Republikës së Kosovës nga pesëshja e BE-së dhe dy vendet e Ballkanit, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ia ka tërhequr vërejtjen Serbisë se nuk mund të luajë lojë të dyfishtë karshi Bashkimit Evropian, ku në njërën anë sillet me politikë proevropiane, ndërsa në anën tjetër, në Mitrovicë bën veprime kundërevropiane.

“Është e qartë, sidomos për Serbinë, se ambiciet dhe aspiratat e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, janë shpeshherë në kundërshtim të plotë me politikën e saj ditore karshi Republikës së Kosovës dhe karshi vendeve të tjera të rajonit. Me lejoni që të them se Serbia nuk mundet që paradite të Bruksel të ketë sjellje evropiane, pasdite në Mitrovicë të ketë sjellje antievropiane. Serbia, është koha e fundit e saj që të fillojë ta definojë interesin nacional në kuptimin e integrimit politik, në kuptimin e integrimit të saj në Bashkimin Evropian, ta definojë interesin nacional në kuptimin e zhvillimit ekonomik”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka shtuar më tej se fati i Serbisë nuk mund të jetë ndryshe dhe në asnjë mënyrë Serbia nuk duhet ta shohë të ardhmen me pretendime territoriale.

“Fati i Serbisë është brenda kufijve të saj, fati i Serbisë nuk është jashtë kufijve të saj dhe nuk mundet një vend aspirant për Bashkimin Evropian ta definojë interesin nacional të saj në kuptimin territorial sikurse ishim ne në vitin 1991 apo 1992”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se duke e marrë parasysh frymën evropiane, Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë e vendosur që të marrë pjesë në dialogun teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Ndryshe, dihet fare mirë se Qeveria e Serbisë, që nga paslufta në Kosovë sponsorizon strukturat paralele në veri të qytetit të Mitrovicës, duke i krijuar kështu probleme të mëdha Qeverisë së Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të Republikës së Kosovës.

Pa dyshim se Serbia synon anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, por shpeshherë i është bërë e qartë asaj nga krerët e këtij Bashkimi se integrimi në mesin e këtyre shteteve lidhet ngushtë me njohjen e Kosovës si shtet, brenda kufijve të saj aktualë si dhe krijimin e marrëdhënieve të mita fqinjësore ndërshtetërore./kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›