Sot zhvillohet aksioni kombëtar "Shqipëria e pastër"

20 Prilli, është shpallur nga Kryeministri Berisha si Dita për një Shqipëri të Pastër. Në kuadër të kësaj dite në të gjithë vendin do të zhvillohet një aksionin vullnetar për pastrimin e gjithë territorit.
Ndërsa e ka cilësuar çështjen e mjedisit si një problem madhor, kryeministri Berisha ka theksuar se çdo njeri do kontribuojë vullnetarisht në pastrimin e qytetit dhe fshatit ku jeton.
"Mjedisi përbën një problem madhor dhe që kërkon një ndryshim rrënjësor të qëndrimit, të psikologjisë, sjelljes ndaj mjedisit. Kërkon një ndërgjegjësim të plotë në moshat e reja. Nuk ka gjë më të rëndësishme për shtetin se një ambient i pastër në kushte të standarteve më të mira. Të caktojmë datën 20 prill si Ditën e Shqipërisë së Pastër. Ku të dalin të rinjtë nga i gjithë vendi, të pastrojnë qytetin, fshatin ose ambientin ku ato jetojnë” është shprehur Berisha.
Kryeministri u ka kërkuar qeveritarëve vendorë të jenë të parët që do të respektojnë ligjin duke dërguar për ndjekje penale ndotësit e mjedisit. “Në datën 20 prill zonat më të ndotura do të jenë zonat më të pastra të vendit. Ministria e Mjedisit do t`u japë fotot dhe hartat dhe ju duhet të ndërtoni të gjithë planin e veprimit që këto të mos ekzistojnë më. Këtë ditë do mobilizohet e tërë shoqëria, e tërë administrata, shkollat, për t`i bërë një pastrim të merituar ambientit. Duhet ta marrim me seriozitetin më të madh dhe përparësinë më absolute”, ka theksuar Berisha.