E Shtunë, 31 Tetor 2026

“MonoAKT”, hera e tretë

Të dielën nis edicioni i tretë i Festivalit të Monodramës në Kosovë “MonoAKT”. Festivali hapet me shfaqjen “Aktori në Kuti”, të regjisorit Mentor Zymberaj, kurse deri më 22 prill për publikun do të jepen dhjetë monodrama. Nga Albana S. Muja më 17 prill 2011 në ora 17:16

Edicioni i tretë i Festivalit të Monodramës në Kosovë “MonoAKT” nis sot (e diel), në shenjë të 15 vjetorit të veprimtarisë së Shtëpisë Teatrore Filmike AKT.
Këtë vit në programin e festivalit janë renditur dhjetë monodrama, nga disa shtete të botës, ndërsa pesë të tjera nuk kanë mundur t’i përshtaten terminit për të qenë pjesëmarrëse.

Drejtuesi i festivalit, Mentor Zymberaj, thotë që pavarësisht kësaj, ka luftuar që datat e festivalit të mos ndërrohen, pasi që është edhe një përgjegjësi ndaj Asociacionit të Festivaleve të Monodramës në Botë “One Man Show”. Që nga viti i kaluar, “MonoAKT” është anëtarësuar në këtë asociacion.

Sipas Zymberajt, monodrama është një nga gjinitë më të vështira të artit skenik qoftë në shkrim, qoftë nga qasja e dramaturgëve, qoftë nga koncepti regjisorial, e aq më shumë për lojën e aktorëve. “Jam i kënaqur që i kam ofruar shoqërisë sonë një festival të tillë, duke iu mbështetur forcave tona artistike dhe organizative. Me këtë festival synojmë ta kultivojmë sa më shumë monodramën dhe t’iu japim hapësirë edhe studentëve që, qysh në kohën e studimeve, të punojmë në monodramë”, tha Zymberaj.

Edhe këtë vit selektore e festivalit është Nina Mazur, së bashku me Zymberajn. Ai tregon se sivjet ka pasur konkurrencë të madhe nga vendet e rajonit: nga Shqipëria janë propozuar për të ardhur në festival pesë monodrama, nga Maqedonia gjashtë, ndërsa nga Kosova katër.

Për publikun kosovar, deri më 22 prill do të shfaqen monodramat nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Sllovakia, Polonia dhe Ukraina.

Menaxheri artistik i festivalit, Zeni Ballazhi, këtë edicion e cilësoi si më profesional, krahasuar me edicionet e kaluara. Sipas tij, këtë herë shihet qartë që karakteristikë e veçantë janë mundësitë e paraqitjes në mënyrë më profesionale, në kuptimin artistik. “Mendoj që kjo traditë çdo vit sa vjen e thellohet më shumë në aspektin profesional të paraqitjes të të gjitha formave. Besoj që vitet e ardhshme do të krijohen mundësi edhe më të mëdha”, tha Ballazhi.

Mbrëmjen e 22 prillit do të organizohet ceremonia e ndarjes së çmimeve për shfaqjen më të mirë, aktorin më të mirë dhe aktoren më të mirë. Do të ndahet edhe një çmim special, ndërsa bordi i festivalit e ndan çmimin për vepër jetësore. Po ashtu, do të jepet edhe çmimi i mediave, kurse Qyteti i Pejës e ndan çmimin Nikoqiri i Qytetit.

Festivali ka gjetur mbështetje nga Ministria e Kulturës, Kuvendi Komunal i Pejës, ai i Vushtrrisë dhe i Istogut. Pasi që festivali ka karakter shëtitës, këto qytete do të vizitohen nga mysafirët e festivalit.

Festivalit “MonoAKT” është themeluar pasi shfaqja “Ëndrra e fundit” mori çmimin UNESKO, në festivalin “AlbaMono” në Shqipëri, para katër vjetësh.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›