E Shtunë, 31 Tetor 2026

BKUK synon të jetë pjesë e Bibliotekës digjitale botërore

Nga Express më 17 prill 2011 në ora 16:13

Drejtues të BKUK-së kanë vlerësuar të suksesshëm edicionin e nëntë të Javës së Bibliotekës në Kosovë, e cila pas shumë aktivitetesh, është përmbyllur të shtunën.

Drejtori i BKUK-së, Sali Bashota ka thënë përmes telefonit për Kosovapress se manifestimi i përvitshëm “Java e bibliotekës” ka përfunduar me sukses aktivitetet e saja, dhe ndër to veçoi krijimin e Portalit Albanologjik Kosovë-Shqipëri.

Bashota shpreson se BKUK në vitet e ardhshme kur do ta kremtoj këtë aktivitet të përvitshëm do të jetë pjesë e Portaleve të Bibliotekave Evropiane dhe Botërore.

“Shpresojmë që në edicionin e dhjetë, bibliotekat e ndryshme të Kosovës të prira nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës do të hyjnë në Portalin e Bibliotekave Evropiane dhe shpresojmë që në vitin e ardhshëm të jemi edhe ne pjesë e Bibliotekës digjitale botërore”, ka thënë ai.

Temë bosht e këtij edicioni ishte “Bibliotekat e Kosovës dhe informacioni”,
ku është përuruar bibliografia e librit shqip, si dhe janë hapur ekspozita të ndryshme në Prizren dhe Prishtinë, ku kanë marrë pjesë personalitete të shumta nga jeta politike dhe akademike në vend dhe më gjerë.

Edicioni i nëntë i Javës së Bibliotekës u organizua nga BKUK në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane dhe nga Bashota u cilësua si një javë në të cilën krijohen forma të reja të komunikimit dhe përçohet rëndësia e bibliotekës dhe librit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›