E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ora e Tokës” shënohet edhe në Kosovë

Nga Express më 25 mars 2011 në ora 12:02

Kosova do t’iu bashkohet mëse 128 shteteve të botës për të shënuar simbolikisht “Orën e Tokës”, duke fikur për një orë, gjatë ditës së shtunë, dritat dhe aparaturat e tepërta elektronike, me qëllim të dërgohet mesazh se mund të merren masa konkrete kundër ngrohjes globale.

“Më 26 Mars në orën 20:30 deri në 21:30 qytetet nga e gjithë bota, apo çdo 1 nga 6 banorët e Tokës do t`i fikin dritat dhe aparaturat e tepërta elektronike për një orë me qëllim të dërgojnë mesazh të fuqishëm se mund të merren masa konkrete kundër ngrohjes globale”, njoftohet në një komunikatë shtypi, të Asociacionit për Kulturë, Edukim dhe Arsim – AKEA dhe Shoqatës Ekologjike “Eko Viciana”.

“Ora e Tokës” filloi si aktivitet në vitin 2007 në Sidnei të Australisë, ku 2.2 milionë individë dhe më shumë se 2,000 biznese kapitale fikën dritat për një orë, për të mbajtur qëndrim solidarizues kundër ndryshimeve klimatike.

Vitin e kaluar, "Ora e Tokës" është mbështetur nga 4.600 qytete në më se 128 shtete të Botës, kurse në Kosovë ky aksion u realizua me sukses në kryeqytetin tonë – Prishtinë me ç`rast për një orë u fikën dritat në sheshin “Nëna Terezë”.

“Ora e Tokës” zyrtarisht është organizim i WWF (Fondi Botëror për Natyrën), organizatës më të madhe mjedisore në botë (www.earthhour.org), e cila edhe kësaj radhe partner mbi bazë vullnetare në implementimin e këtij aktiviteti për Kosovë ka Asociacionin për Kulturë, Edukim dhe Arsim – AKEA dhe Shoqatën Ekologjike “Eko Viciana”.

Bashkohu edhe ti me më se 1.3 miliard banorë të planetit-Tokë në nsimën globale "Ora e Tokës 2011" për të alarmuar lidhur me ndryshimet klimatike. Andaj më 26 Mars 2011 në orën 20:30 deri në 21:30 fikni dritat dhe aparaturat e tepërta për të kursyer energjinë. Mos harroni secili veprim i yni është i rëndësishëm, andaj mos e injoroni kontributin tuaj!

Me këtë rast, AKEA dhe “Eko Viciana” ftojnë të gjithë dashamirët e mjedisit të marrin pjesë si dhe të inkurajojnë të tjerë të marrin pjesë në këtë aktivitet.

Qytetarët ftohen që të shtunën, gjatë orëve të mbrëmjes prej orës 17, të merrni pjesë në firmosjen publike për “Ora e Tokës” në sheshin “Nëna Terezë”, ku do të zhvillohet edhe manifestimi publik me ambasadorët e zgjedhur për këtë eveniment ndërkombëtar.

Deri me tani, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe disa komuna të Kosovës në solidarizimin e tyre lidhur me këtë aktivitet si: Prizreni, Mitrovica, Peja, Podujeva, Vushtrria dhe Skenderaj.

Shënimi i këtij aktiviteti në Kosovë, sivjet, mbështetet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›