Me dy panaire
Prishtina sivjet do të jetë nikoqire e dy panaireve të librit. I pari do të mbahet në maj, në organizim të Unionit të Botuesve të Kosovës, ndërsa i dyti në qershor, e i cili do të organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.
Behxhet Bici, kryetar i Unionit të Botuesve të Kosovës, asociacion ky që është krijuar para disa muajsh, bëri të ditur për Express se tashmë e kanë rezervuar sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë dhe panairi, të cilin do ta organizojë ky union, do të mbahet në fillim të muajit maj.
“Panairi Ndërkombëtar i Librit i Prishtinës do të organizohet nga Unioni i Botuesve të Kosovës prej 4 deri më 9 maj”, tha Bici. Për të qenë sa më i mirë, Bici tregoi se organizimi i Panairit të Librit i është besuar një kompanie private që merret me organizim të panaireve, e cila ka edhe përvojë në këtë fushë. Ai tregoi se në panairin që do të mbahet në maj do të jenë mysafirë shkrimtarë të ndryshëm nga Shqipëria, prej të cilëve tashmë është konfirmuar ardhja e shkrimtarit Fatos Kongoli. Po ashtu edhe sa u përket botuesve, në këtë panair nuk do të ketë vetëm botues shqiptarë por edhe botues të rajonit.
“Jemi në pritje të konfirmimit të ardhjes se disa botuesve nga Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina”, tregoi Bici.
Ai shtoi se tashmë kanë siguruar disa sponsorë privat, por beson se do të kenë edhe përkrahje institucionale, sepse, sipas tij, një panair i tillë mbahet një herë në vit dhe meriton përkrahje institucionale.
E kur bëhet fjalë për përkrahje institucionale, Daut Demaku, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, është i bindur se Ministria e Kulturës do ta përkrahë Panairin e Librit “Prishtina 2011”, pasi që e ka përkrahur tash e njëmbëdhjetë vjet.
“Panairi i Librit është panair i Shoqatës së Botuesve të Kosovës. Është i pranuar në Ministrinë e Kulturës, është në Këshillin e Librit, është në çdo gjë brenda institucioneve dhe në kuadër të tyre”, tha Demaku, duke shtuar se në këtë mënyrë po përpiqen ta ruajnë traditën.
Demaku shtoi se Panairi i Librit, i cili do të mbahet në qershor, do të jetë edhe nën patronatin e presidencës.
“Kjo do të thotë se jemi kuadër institucional”, tha Demaku. Ndërsa, sa i përket panairit tjetër të librit që do të organizohet një muaj para atij tradicional, Demaku tha se është e drejt demokratike e secilit të organizojë çka të dojë.
“Ne do të përpiqemi me të gjitha mjetet ligjore dhe institucionale ta mbrojmë traditën e këtij panairi. Këto dualizma do të përpiqemi të mos ndodhin, por nëse ndodhin s’kemi çka bëjmë. Por, nuk do të ishte normale që për hir të një klani që ka interesa private të prishet një traditë dymbëdhjetëvjeçare”, tha Demaku, duke shtuar se nuk do të marrë pjesë në një panair tjetër përpos atij që do ta organizojë Shoqata e Botuesve të Kosovës.
Në anën tjetër, Haqif Mulliqi, këshilltar i ministrit të kulturës, u shpreh për Express se Ministria e Kulturës edhe sivjet sikurse edhe viteve të shkuara do të jetë një prej mbështetësve të Panairit të Librit, duke e konsideruar si ngjarjen më të madhe të librit në vendin tonë.
Mulliqi tregoi se nuk është në dijeni se do të organizohen dy panaire të librit.
“Duke pasur parasysh se ne kemi pak ditë në ministri, në fakt unë nuk besoj se është raportuar ideja se do të ketë dy panaire. Sido që të jetë, nuk është për t’u habitur sepse është një sindromë e njohur shqiptare kjo. Unë besoj që Ministria e Kulturës do të marrë një qëndrim dhe domosdoshmërisht do ta mbështesë atë i cili është institucionalisht legal”, tha Mulliqi.
Ai shtoi se në kalendarin e ministrisë ekziston Panairi i Librit, por beson se në gjithë objektivat dhe pasqyrat, të cilat kanë të bëjnë me financimin, si projekt financiar është paraparë njëri prej tyre. Në esencë, sipas tij, kjo nuk do të thotë se nuk do të shqyrtohet cilado kërkesë për aktivitete të tilla, sepse ministria, siç u shpreh ai, nuk është për të krijuar dhe ruajtur monopole të caktuara.
Mulliqi tha se ekziston mundësia që të financohen të dyja panairet. Por, kjo do të shihet në bazë të prurjeve dhe në bazë të organizimit. Ai theksoi se Ministria e Kulturës do të flasë atëherë kur do t’i ketë që të dyja projektet në komodinë dhe nëse riciklohen në formë të njëjtë dy panaire, ai mendon se nuk është shumë e logjikshme që të mbështeten të dyja.
“Nëse ka veçori dhe ka prurje kreative tjetërfare njëri panair prej tjetrit atëherë s’do mend që ministria do ta shqyrtojë mundësinë serioze që t’i mbështesë që të dy. Por nëse është fjala për një copy-paste të një panairi, unë besoj që ministria sigurisht se nuk do ta shohë të udhës që ta fragmentarizojë një aktivitet apo një festë të madhe të librit siç është Panairi i Librit”, tha Mulliqi.