Agani synon të përmirësojë financimin shëndetësisë
Nën kryesimin e ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, të enjten është mbajtur takimi i parë i grupeve punuese në revidimin e Ligjit për Shëndetësi dhe Ligjit për Sigurime Shëndetësore.
Ministri Agani është kryesues i këtyre dy grupeve, të përbëra nga zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHP, QKUK, Fakultetit të Mjekësisë, Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, subjekteve të ndryshme politike, shoqërisë civile, ekspertëve të fushës së sigurimeve dhe konsulentëve ndërkombëtarë.
Në takimin e parë të këtyre dy grupeve, Agani ka thënë se këto dy ligje do të ripunohen në një pjesë të konsideruar të tyre për t’u finalizuar dhe dorëzuar në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës brenda 100 ditëve të para të punës së tij si ministër.
Agani është shprehur se me këto ligje synojnë përmirësimin në masë të dukshme të financimit të sektorit shëndetësor, si dhe ngritjen e parametrave ligjor që do të sigurojnë cilësinë e shërbimeve shëndetësore në Kosovë.
“Me këto ligje ne synojmë që të përmirësojmë në masë të dukshme financimin e sektorit shëndetësor, të ngrisim të gjitha parametrat ligjor që do të sigurojnë cilësinë e shërbimeve shëndetësore, do të synojmë që kualiteti i shërbimeve shëndetësore të jetë ai që i udhëheq institucionet shëndetësore në punën e tyre e jo interesat e tjerë, pra presim një ndryshim kualitativ në skenën e sektorit shëndetësor”, ka thënë Agani.
Për më tepër, ai ka theksuar se ideja është që ky ligj të mos e ngarkojë buxhetin e Kosovës në asnjë mënyrë po njëkohësisht t’i dhurojë të hyra plotësuese financiare sektorit të shëndetësisë.
“Analizat financiare do të bëhen në fund natyrisht kur të koncipojmë ligjin në tërësi, ideja është që ky ligj të mos i kushtojë buxhetit asgjë, pra të mos e ngarkojë buxhetin e Kosovës në asnjë mënyrë po njëkohësisht t’i dhurojë të hyra plotësuese financiare në sektorin e shëndetësisë, e kjo është e mundshme të bëhet”, ka thënë Agani.
Ndërsa, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla është shprehur i inkurajuar me nismën e ministrit të Shëndetësisë dhe ka shprehur besimin se shumë shpejt do të miratohen edhe këto ligje.
“Ne e dimë që në të kaluarën është punuar nuk është se nuk është punuar, mirëpo kësaj radhe jemi mbledhur bashkë dhe do të ecin gjërat pak më shpejt. Ne i dimë edhe problematikat dhe implikimet buxhetore dhe të gjitha janë duke u diskutuar me këto dy grupet punuese dhe jemi mjaft pragmatik. Nëse kjo punë do të vazhdojë kështu si në këtë mbledhje të parë, unë jam mjaft optimist”, ka thënë Syla.
Në takimin e grupeve punuese për këto dy ligje është përcaktuar edhe dinamika e punës dhe u tha se finalizimi i këtyre dy ligjeve duhet të bëhet deri në fund të majit. /kosovapress/