E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Parfumeria”, versioni i Nurës

Në vargun e shfaqjeve që shumë shpejt do të jepen premierë në teatrin “Dodona” është edhe “Parfumeria”, një tekst ky i dramaturgut Haqif Mulliqi, nën regjinë e Elmaze Nures. Nga Albana S. Muja më 18 prill 2011 në ora 12:16

Më 27 të këtij muaji do të jepet premiera e “Parfumerisë”, dramë kjo e dramaturgut Haqif Mulliqi, regjinë e së cilës është duke e bërë Elmaze Nura.

Ky tekst i Mulliqit është inskenuar disa herë, ndonëse Nura synon të sjellë një formë tjetër, të punojë një shfaqje në të cilën do të gërshetohen format inovative teatrore më ato tradicionale.

“Kam dashur që motivet kryesore të shfaqjes të jenë burimore, të cilat pastaj zhvillohen në variante të ndryshme. Ky tekst është oqean për nga temat që trajton. Aty është një shpirt i terë njerëzor me të mirat dhe të këqijat e veta. Por, kur gjendet çelësi i inskenimit, atëherë i terë procesi është më i lehtë”, theksoi Nura.

Kjo shfaqje është duke u punuar në kuadër të Fakultetit të Arteve, në bashkëpunim më Teatrin Dodona, ku studentët e aktrimit të vitit të tretë e kanë lëndën e Regjisë së Teatrit.
Ndërsa Nura thotë që në këtë formë mendon të krijojë një lloj laboratori, në të cilin studentët nuk do të mësonin vetëm anën teorike por edhe atë praktike të punës së regjisorit. “Në semestrin e parë, në kuadër të ligjëratave ‘rast studimi’ e kam marrë ‘Parfumerinë’. Kam hasur në një vullnet dhe dëshirë të paparë të këtyre studentëve për të punuar, çka ka ndikuar pozitivisht edhe tek unë, edhe pse puna më është shtuar shumë”, tha jo.

Sipas Nurës, me marrjen e këtij teksti si rast studimi, ka qëlluar në dy pika të rëndësishme, vetëdijesimin e studentëve për nivelin e dramaturgjisë sonë dhe inskenimin e një teksti të mirëfilltë dramatik.

Ideja pse pikërisht ky tekst është duke u inskenuar nga Nura qëndron tek pasuria e madhe tematike që e karakterizon “Parfumerinë”.

“Përpos që mendoj se është teksti më i mirë dramatik shqiptar, kjo dramë e sfidon regjisorin. Nëse regjisori din ta lexojë këtë vepër, atëherë shfaqja do të jetë e pasur, në të kundërtën nuk do të mund të ofrojë më shumë se sa një lexim të mirë skenik”, thotë Nura.
Ajo mendon që, si asnjëherë tjetër, tani na duhet një qasje tjetër ndaj artit dhe vetvetes. Sipas Nurës, regjisori, i cili e merr një dramë të huaj ta inskenojë, duhet të kuptojë kontekstin zhvillimor politik, shoqëror, kulturor, tradicional dhe shumë dimensione tjera nëpër të cilat rrëshqet drama. “Nëse nuk hulumtohet në këtë drejtim, inskenimet do të dalin ashtu siç edhe i kemi parë të pagdhendura, pa shije, madje do të thosha neveritëse”, tha ajo.

E derisa flasim për këtë tekst, i cili njihet si ndër dramat më të mira të Mulliqit, Nura inskenimin e kësaj drame e konsideron luks. “E konsideroj luks për regjisorin tonë që të marrë tekstin e një dramaturgu shqiptar për ta inskenuar. Kur them tekstin e një dramaturgu, nënkuptoj të dramaturgëve të mirëfilltë siç është Haqif Mulliqi, Ekrem Kryeziu, Milazim Krasniqi, Zymber Kelmendi, Fadil Hysaj e të tjerë të këtij kalibri, por assesi drama të OJQ-ve të shkruara më porosi e që iu përngjajnë reklamave të KFOR-it”, theksoi ajo.

Fara e dramës “Parfumeria” është pasioni që të dërgon në dy drejtime, nga një dashuri eternale deri të një pabesi vrasëse. Problemet e personazheve të dramës “Parfumeria” janë probleme të secilit njeri. Secili është një lloj Spajsi, Bruti (personazhe konkrete) apo edhe Meri (personazh fiktiv). “Publiku shkon ne teatër për të njohur vetveten dhe të vërtetën rreth tij. Kjo dramë më problemin të cilin e trajton, arrin që të shkaktojë katarzis tek audienca. Ky lloj katarzisi tek e fundit është edhe qëllimi i teatrit”, tha Nura.

Në shfaqje luajnë dy studentët e vitit të tretë të aktrimit, Kremtim Krasniqi dhe Astrit Geci. Për punën dhe pjekurinë artistike të tyre, Nura është shumë e kënaqur.
Asistente e regjisë është Getoarbë Mulliqi, skenografia: Zeni Ballazhi, koreografia: Haki Mulliqi etj.

Shfaqja do të jepet premierë në teatrin “Dodona” me datë 27 prill, derisa shfaqja do të jetë në repertorin e “Dodonës”. Ndërsa ende pa dalë premiera, Nura thotë që i ka tri ftesa për festivale, mirëpo e gjithë kjo realizohet nëse ekipi do të gjejë përkrahjen financiare për të lëvizur më shfaqje.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›