E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritol gjatë fushatës në Shqipëri

Nga Express më 18 prill 2011 në ora 12:05

Një mjet eksplodues ka shpërthyer pranë banesës së kandidatit të Partisë Socialiste për njësinë numër 7 në Tiranë, Erion Koka, nga i cili shpërthim janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të së hënës.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për këtë incident të radhës të fushatës elektorale, që vjen një ditë pas dy incidenteve të tjera që u shënuan në Kamëz dhe Pogradec.

Në një ngjarje të ngjashme, një sasi tritoli shpërtheu në banesën e shefit të shtabit elektoral të kandidatit të Partisë Socialiste në qytetin e Pogradecit.

Në një tjetër incident në Kamëz, një mbështetës i Partisë Demokratike mbeti i plagosur pas një përplasjeje midis përkrahësve të PS dhe PD.

Ngjarja ndodhi gjatë kohës që mbështetësit e opozitës po ndërtonin skenën ku pasdite u zhvillua mitingu i “Aleancës për të Ardhmen”, kur një mbështetës i Partisë Demokratike nisi të vendoste flamuj të saj pikërisht në vendin ku socialistët do zhvillonin mitingun e tyre.

Disa mbështetës të opozitës i kërkuan të mos i vendoste aty flamujt e PD dhe më pas ata u përleshën fizikisht me përkrahësin e PD-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›