“Perandori” që ia vlen të lexohet

Gazetari i famshëm polak, i njohur si 'Princi i Reportazhit', sjell një panoramë të plotë të regjimeve diktatoriale afrikane, ndonëse jo vetëm të tyre. Këtë e arrin mjeshtërisht, jo përmes një libri biografik dokumentar e historik, por në një roman ku veprat e perandorit zbulohen nga vetë dëshmitarët, të cilët dikur ishin shërbëtorë të tij.
"Është ky një libër që ia vlen. 'Perandori' është një reportazh i letrarizuar. Është një figurë reale, siç është Haile Selassie, edhe pse, në vend të tij lehtësisht mund të ishte edhe kushdo tjetër nga sistemet e mëparshëm... Këtu, më duhet të përsëris atë që për librin e Kapuscinski ka thënë John Updike: "Perandori’ është në fakt vetë terrori i sundimit", thotë përkthyesi i librit, Astrit Beqiraj.
Natalia Zaba, polakja me detyrë në Ambasadën e Polonisë në Tiranë, tregon se si njeh kombi i saj gazetarin e guximshëm Kapuscinski, i cili ndërkohë u bë shkrimtar shumë i lexuar.
"Jam vërtet krenare për të, si çdo polak. Ai ka qenë dhe mbetet një mit për ne. Unë jam rritur me Kapuscinskin. Që kur isha në gjimnaz kam lexuar rrëfimet e tij dhe ato që ai i bënte si gazetar. Sot, ai shfaqet si kolos. natyrisht, ai kishte edhe anën e tij njerëzore. Jeta e tij ishte përplot kolorit, por famën ia sollën librat", shprehet ajo.
“Perandori” është një libër që duhet lexuar, jo vetëm si një roman plot ngjarje, por edhe si një analizë e detajizuar e personaliteteve në prapaskenat e udhëheqësve diktatorialë dhe e ‘oborreve të tyre’. Të gjitha këto, përmes penës së dëshmitarit të rënies së mbi 40 regjimeve diktatoriale në Afrikë, Azi dhe Amerikës Latine.
Ndryshe, Kapuscinski vdiq në vitin 2007.