Fati i Sirisë varët nga Turqia

Pamjet, të cilat gjatë muajve të fundit kanë arritur nga brezi kufitar mes Sirisë dhe Turqisë, kanë qenë të tmerrshme. Ato shfaqin me mijëra sirianë, duke u arratisur nga vrasësit e diktatorit Baschar Al Assad. Shumë prej tyre janë të plagosur dhe dëshmojnë për torturë, dhunime dhe ekzekutime.
Por ka pasur edhe pamje të bamirësisë njerëzore. Turqia ka ngritur kampe me tenda për sirianët, të cilët po kërkojnë siguri. Vendi ka ngritur edhe qendra mjekësore, për trajtimin e të lënduarve.
“A ju kujtohet se si janë trajtuar nga Italia refugjatët afrikanë nga Tunizi dhe Libia, gjatë kohëzgjatjes së Pranverës Arabe?”, pyet Ertugrul Özkök, ish-kryeredaktor i të përditshmes kombëtare turke, Hurriyet.
Atëbotë, grupet për të drejta të njeriut kritikuan ashpër politikën e BE-së për të mbyllur dhe fortifikuar ishullin italian, Lampedusa, për të pamundësuar hyrjen e refugjatëve në Evropë.
Tani Özkök nënvizon ironinë si si Turqia aq e kritikuar po mbron vlerat evropiane në krizën aktuale.
Por qeveria e kryeministrit Reccep Tayyip Erdogan gjithashtu po ndjek edhe interesat e veta në këtë konflikt. Siria është një partner i rëndësishëm tregtarë. Kurdët jetojnë si në Turqi, ashtu edhe në Siri. Trazirat paraqesin një kërcënim për stabilitetin e rajonit, në të cilin rreziku edhe ashtu është i pranishëm, për shkak të përleshjeve mes ushtrisë turke dhe kryengritësve nga radhët e organizatës kurde, PKK.
Dhe në fund, refugjatët nga Siria paraqesin një sfidë humanitare për Turqinë, të cilën ky vend nuk është më në gjendje ta përballojë vetëm.
Por nuk është vetëm altruizmi ai, i cili po e nxit Erdoganin që të angazhohet për përmbysjen e Assadit. E nuk është as rezultat i “solidaritetit me vëllezërit mysliman në Siri”, siç kanë dëshirë të raportojnë mediet e afërta me qeverinë në Ankara. Megjithatë, edhe kritikuesit e Erdoganit janë të mendimit se ai po angazhohet, për t’u përballur si duhet me kaosin.
Megjithatë, nga fakti se Evropa dhe SHBA-ja po tentojnë të qëndrojnë larg kësaj çështje, fati i popullit të Sirisë aktualisht është duke u vendosur në Ankara.
Në një koment të tij në një gazetë këtë javë, historiani në Universitetin e Oxfordit, Timoshty Garton Ash, shkroi se “Europa e ka lënë Sirinë në fatin e osmanëve”. Ash kritikoi Perëndimin, duke argumentuar se është dashur që qysh para disa javësh të intervenojë ushtarakisht, për të ndalur vrasjet në Siri.
Por për dallim nga konflikti në Libi, vullneti politik kësaj radhe po mungon. Presidenti i SHBA-së dhe ai i Francës, Barack Obama dhe Nicolas Sarkozy, që të dy do të përballen me zgjedhje; dhe Gjermania, nga ana e saj, për një arsye të mirë nuk kryeson fushatat ushtarake.
Në vend të kësaj, janë tani fuqitë tjera, të cilat po e marrin përsipër kryesimin në Lindjen e Mesme.
“Në të ardhmen e afërt, Turqia do të jetë më e rëndësishme se Britania. Irani më i rëndësishëm se Gjermania, Arabia Saudite më e rëndësishme se Franca dhe Rusia më e rëndësishme se SHBA-ja”, shkroi Ash.
Në konfliktin në Siri po mund të vërehet dalja në sipërfaqe e rregullit të ri botëror, e cila nga gazetari Fareed Zakaria është cilësuar si “Ngritja e atyre që kanë mbetur”.
Ishte mjaft domethënës fakti se Erdogani shfrytëzoi vizitën e tij në Kinë, për të bërë deklaratën e jashtëzakonshme.
“NATO është përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve të Turqisë”, tha ai para gazetarëve, duke u kërcënuar se do të kërkojë zbatimin e nenit pesë të traktatit të aleancës, i cili nënvizon se sulmi kundër një shteti anëtar të NATO-s duhet të konsiderohet si sulm kundër të gjitha shteteve anëtare.
Është e vërtetë se Siria ka hapur zjarr kundër një kampi të refugjatëve në Turqi, duke vrarë dy sirianë. Por Erdogan e di se kjo nuk do të mjaftojë për të kërkuar zbatimin e nenit për mbrojtje të përbashkët të aleancës, hap ky i cili për herë të fundit është ndërmarrë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA.
Por këtë as Erdogani nuk e dëshiron më të vërtetë. Kërcënimi i tij është i llogaritur. Ai po i sinjalizon pushtetarëve në Siri se do të konsiderohen si përgjegjës nga kundërshtarët e tyre dhe po i tregon Perëndimit se është Turqia ajo, e cila aktualisht po dikton rregullat e lojës në Lindjen e Mesme.