“Peugeot” rrezikon falimentimin

Sipas spekulimeve të disa mediave franceze, nëse situata nuk do të përmirësohet së shpejti, atëherë grupi “Peugeot-Citroen” mund të përballet me rrezikun e falimentimit.
Shitjet e firmës në gjashtë muajt e parë të 2012 janë reduktuar me 5,1%. “Peugeot”, i cili në gjashtë muajt e parë të 2011-s regjistroi një fitim prej 806 milionë eurosh, parashikon që të mos jetë në gjendje të dalë nga humbjet deri në 2014-n.
Aktualisht, kompania është në procesin e shkurtimit të 8 mijë vendeve të punës, pavarësisht kritikave që ka marrë nga presidenca e Hollande për këtë plan.
Midis reparteve që do të mbyllen është edhe një prej dy fabrikave në Paris.
Në kontrast, rezultatet e rivalëve gjermanë të “Daimler” janë përshkruar si “shumë të mira”, pavarësisht një rënie në përfitime prej 11%.
”Daimler”, që ka nën pronësi edhe “Mercedes-Benz”, është duke investuar në modele të reja dhe ka vonuar prodhimin e disa markave, pasi fabrikat janë duke punuar me kapacitet të plotë.
Kriza ekonomike e “Peugeot-Citroen” duket se është shkaktuar nga rënia e fuqisë blerëse dhe ekspozimi në vendet më të goditura nga kriza e Eurozonës. Në bazë të planit të ri, kompania do të vazhdojë të prodhojë me 76% të kapacitetit të saj.