E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkup, Ban Ki Moon personalisht do të angazhohet për emrin

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon deklaroi se personalisht do të angazhohet për gjetjen e zgjidhjes për kontestin e emrit të Maqedonisë me Greqinë. Ai këtë e theksoi pas takimit të sotëm në Ohër me presidentin e vendit, Gjorgje Ivanov.

"Do të bëjmë përpjekje maksimale për të biseduar me autoritetet greke. Menjëherë pas vizitës, do të dërgoj përfaqësuesin tim special, Metju Nimic në Athinë për të sqaruar se çfarë kemi biseduar këtu. Unë personalisht do të bëj përpjekje për të kontaktuar kryeministrin grek Samaras për të ndihmuar në shpejtimin e procesit. Shprehim keqardhje që dy vendet fqinje nuk arritën plotësisht të shfrytëzojnë potencialet e tyre për bashkëpunim rajonal, mirëbesim dhe zhvillim", deklaroi sekretari i përgjithshëm Ban Ki Moon, duke shtuar se Kombet e Bashkuara do të bëjnë çmos për të lehtësuar këtë proces.

Ai shtoi se OKB është e vetëdijshme për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për kontestin e emrit dhe se do të merren parasysh të gjitha aspektet.

Presidenti Ivanov deklaroi se në këtë takim janë diskutuar të gjitha çështjet e hapura për implementimin e Marrëveshjes së Përkohshme me Greqinë për vendimin e GJND që fajëson Athinën për kontestin e emrit dhe për angazhimin e OKB-së në këtë proces.

Ban Ki Moon pas takimit me Ivanov ka vizituar lokalitetet kulturore historike në Ohër, që janë nën ombrellën e UNESCO. Menjëherë pas Ohrit, Ban Ki  Moon është takuar me kryeministrin Nikolla Gruevski dhe me kryeparlamentarin Trajko Veljanovski, ndërsa më pas ka mbajtur edhe një fjalim në Parlamentin e Maqedonisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›