Fillon Festivali i Teatrove të Kukullave
Të mërkurën mbrëma, nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, në Teatrin Dodona filloi edicioni i dytë i Festivalit të Teatrove të Kukullave.
Shfaqja “Maçoku me Çizme”, e Teatrit Babec, nga Manastiri (Maqedoni) ishte ajo që hapi këtë edicion të festivalit. Gjatë 4 ditëve të festivalit, në skenën e Teatrit Dodona do të jepen gjithsejtë shtatë shfaqje për fëmijë.
Në festival marrin pjesë Teatrot e Kukullave të shteteve të rajonit, nga Bullgaria, Maqedonia, Kroacia dhe Shqipëria, ndërkaq, përveç shfaqjes “Maçoku me Çizme”, në ditët në vazhdim do të jepen edhe “Peshkatari dhe Peshku”, “Shtriga e Vogël”, “Gjyshi dhe Rrepa”, “Tre Gjigantët Kryeneçë”, “Ina Patatina” dhe “Sirena e Vogël”.