“Poeteka”, një edicion mbi lirikën krijuese

Marrëdhënia e artistit me lirinë krijuese dhe intelektuale, në kushtet e kufizimit të lirisë dhe të mungesës së pluralizmit të estetikave, është bërë të hënën tema e një konference shkencore, e cila do të zhvillohet deri sot, më 14 shtator, në kuadrin e edicionit të shtatë të ‘Poetekës’.
Ndryshe nga herët e tjera, ‘Poeteka’ nuk vjen si një festival poezie me pjesëmarrjen e poetëve nga Shqipëria e më gjerë. Nuk do të ketë as çmime, por një rrahje mendimesh, tezash, mbi çështje që shqetësojnë sot letërsinë shqiptare, krijimtarinë, por edhe studimin e saj. Edicioni i sivjetshëm i “Poetekës”, i titulluar “META(L)FORA – METAF(L)ORA”, organizohet në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike, Departamentin e Letërsisë.
Gjatë ditëve të konferencës do të referojnë emra të njohur shkrimtarësh e studiuesish, si Ali Aliu, Shaban Sinani, Ardian Marashi, Vrion Graçi, Arjan Leka, Bardhyl Londo, Gazmend Krasniqi etj.