Barça e Reali, më të fortit

Arsene Wenger insiston se objektiv i Arsenalit në Evropë këtë sezon është që ta kalojë fazën e grupeve, e cila i duket një mundësi më reale, sesa ta fitojë krejt Ligën e Kampionëve.
Trajneri francez e pranon se ekipet tjera janë prapa gjigantëve spanjollë, Barcelona e Real Madrid.
Wenger ndien se Reali e Barça janë në një nivel më lartë se secili ekip tjetër. Ai do të fokusohet që të kalojë në fazën e eliminimeve, pas kualifikimit të vështirë në fazën e grupeve, pasi e eliminoi Udinesen, në barazh.
“Dy ekipe janë mbi të tjerat këtë sezon. Ato janë Real Madrid e Barcelona. Të tjerat mund të shpresojnë. Kompeticioni jashtë vendit për ne është bërë më i vështirë. Barça dhe Reali kanë mundësi më të mira financiare po ashtu. Për ne është një fillim i ri, sepse kemi skuadër të re. Ajo që duhet ta shfaqim në fazën e grupeve është se ne mund të shkojmë më larg. Mirëpo, ata (ekipet spanjolle) e kanë vërtetuar se nuk mund të krahasohemi”, deklaroi Wenger për mediat britanike.
Wenger po ashtu insiston se as Manchester City nuk mund të krahasohet me Barcelonën këtë sezon, pasi që shton se është herët të bëhet një krahasim i tillë.